Policia shpall në kërkim Bajram Çekoren

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori kryesor i vrasjes së 19-vjeçarit në Shkodër, Erjon Xhenje. Sipas policisë, ai është Bajram Çekorja, i cili ishte shpallur në kërkim edhe për një ngjarje tjetër kriminale, atë të atentatit të dështuar ndaj Alban Bruçit më 25 Gusht.

I riu 24-vjeçar është djali i Ismet Çekores të ekzekutuar më 2 Shtator në lagjen ‘Guerrile’ në Shkodër. Hetimet e zhvilluara nga Policia e Shkodrës kanë arritur në konkluzionin se pikërisht 24-vjeçari Çekorja është personi i cili ka qëlluar për vdekje me pistoletë 19-vjeçarin Erjon Xhenje, i cili qëndronte në një lokal në kryqëzimin e Kirasit.

Ndërkohë hetuesit vijojnë punën për identifikimin e personit tjetër i cili ndihmoi 24-vjeçarin Çekorja në kryerjen e kësaj vrasje.

Hakmarrja është pista kryesore ku janë përqëndruar hetuesit dhe sipas burimeve vrasja e të riut është pjesë e një zinxhiri krimesh të ndodhura në qytetin verior.

Identifikimi i autorit të vrasjes ka sjellë dhe reagimin e nënës së viktimës e cila ka kërkuar që drejtësia të vihet në vend, ndërsa ka shtuar se fatkeqësia e djalit të saj ishte që kushërinjtë e tij janë me precedentë penal.

Erjon Xhenje është kushëri me Sehar Xhenjen, person ky i skeduar nga Policia e Shkodrës si i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale.

Tv Klan