Në Janar do të nisë procesi i regjistrimit të të gjithë emigrantëve që duan të votojnë në 2025, procesi do të përfundojë në muajin Mars.

Lajmin ua dha socialistëve kryetari i grupit parlamentar Niko Peleshi, në takimin informal që zhvilluan këtë të premte në Elbasan. Peleshi ka kërkuar nga deputetët të angazhohen për të informuar sa më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë që të regjistrohen në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e votës.

Një tjetër çështje e diskutuar në takimin e Elbasanit ishte dhe roli që ka parlamenti në përafrimin e legjislacionit dhe afrimin e standardeve me ato të BE. Ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka është shprehur se synimi është që konferenca e tretë ndërqeveritare me BE-në të mbahet në Dhjetor të këtij viti, e katërta në Marsin e vitit 2025, ndërsa konferencën e pestë në Dhjetor 2025.

Çështje të tjera që kanë marrë vëmendjen e deputetëve janë reformat e qeverisë ajo antikorrupsion apo dhe çështja e dizinformimit.

Në qendër të diskutimeve ishin përpjekjet për të afruar pranë vetes elektoratin gri, që sipas sondazheve të PS-së është rritur, në zgjedhjet e fundit elektorale, ndërsa hendeku i votave me PD është rritur në favor të PS.

Ligjvënësit socialistë kanë analizuar punën në 3 mandate qeverisëse, duke nxjerrë edhe pikat e dobëta. Një nga pikat e strategjisë së fushatës së ardhshme për mandatin e katërt është edhe mënyra se si do të komunikohet me elektoratin.

Ndaj deputetët janë porositur që të mos neglizhojnë daljet në asnjë kanal informimi qofshin mediat tradicionale, emisione politike, duke shtuar vëmendjen edhe ndaj mediave sociale e veçanërisht TikTok.

Kryeministri iu bashkua takimit informal te deputeteve në sesionin e tretë për të dëgjuar konkluzionet e fundit dhe për të drekuar me 74 deputetët e tij.

Klan News