BDI-ISDM: Pritet marrëveshja përfundimtare

Gjatë fundjavës dhe sot takimet intensive të punës vazhduan midis përfaqësuesve të BDI dhe LSDM, me qëllim të krijimit të një marrëveshje koalicioni për një qeveri të ardhshme të qëndrueshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, thuhet në një komunikatë nga BDI-ja. 

Ekipet e BDI-së dhe LSDM-së punuan intensivisht në krijimin e një marrëveshjeje cilësore, të shpejtë dhe të plotë të koalicionit në ditët e para të afatit të përcaktuar me Kushtetutë, prej 20 ditësh pas marrjes së mandatit.

Përmes një komunikate të përbashkët për media BDI dhe LSDM njoftojnë se në bisedimet e zhvilluara në nivelin e sekretarëve partiakë, Grubi dhe Nikollovski, është arritur përparim serioz në pothuajse të gjitha çështjet që çojnë në një marrëveshje për qeverinë.

Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojën për të vënë shpejt në veprim institucionet kryesore në vend, për të adresuar sfidat shëndetësore dhe ekonomike që lidhen me Covid-19, nesër do të mbahet një takim kryesor midis kryetarëve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaev, ku pritet një marrëveshje përfundimtare për një qeveri të re, të qëndrueshme, të përkushtuar, me një mandat 4-vjeçar.

Pas vërtetimit të parimeve të koalicionit dhe përcaktimeve të qeverisë eventuale të përbashkët, LSDM dhe BDI dje kanë punuar në harmonizimin e programeve zgjedhore dhe shpërndarjen e përgjegjësive sipas resorëve të dy partive dhe krijimin e programit 4-vjecar të punës së qeverisë së ardhshme.

Nga LSDM-ja njoftuan se negociatat në tërësi janë përkushtuar drejt ekonomisë, drejtësisë, barazisë dhe integrimeve. Socialdemokratët kanë njoftuar se lidhur me ndarjen e përgjegjësive sipas resorëve është arritur një progres i mirë dhe pajtim parimor.

Nga ana tjetër, BDI-ja përmes një komunikatë i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të mos dëmtojnë negociatat me LSDM-në, dhe siç thonë, ta pranojnë humbjen e 15 Korrikut.

Shqiptarët nuk e meritojnë një opozitë kaq jodinjitoze dhe jokonsistente, e cila parashtron kushtëzime vetëm për shqiptarët, ndërsa endet korridoreve të LSDM dhe VMRO për të dështuar ideali kombëtar. 

Uzurpatorët dështakë të kampusit opozitar, dështimin e tyre personal po e shndërojnë në dështim të shqiptarëve, duke qëndruar në sportelet e LSDM dhe VMRO ditë e natë, me lutje të mos realizohen kërkesat shqiptare.

Ndryshe, LSDM dhe BDI i filluan negociatat menjëherë pas seancës konstituive të parlamentit më 4 Gusht. Deri tani janë mbajtur disa takime midis liderëve Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti.

Tv Klan