7 vatra zjarri janë aktive në të gjithë vendin. Gjatë 24 orëve të fundit sipas ministrisë së Mbrojtjes nga 20 vatra të evidentuara, 13 prej tyre janë shuar, përfshirë edhe zjarrin në fushën e mbetjeve në qytetin e Vlorës.

Situata më problematike paraqitet në fshatin Mal-Shëngjin në Lezhë që zjarri vijon prej disa ditësh dhe në kodrat e liqenit të Viroit në Gjirokastër dhe fshatin Lozhan në Maliq.

Nga të dhënat e bëra publike paraditen e të martës, raportohet se vatër aktive ka edhe në fshatin Zogaj në Tropojë, por që është izoluar plotësisht në kufi me Bashkinë Has.

Po punohet për shuarjen e vatrës në fshatin Hoten, në Vaun e Dejës, zjarr që ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes i bën thirrje banorëve të bëjnë kujdes, që të mos ndezin zjarre pasi ligji është i qartë dhe i rreptë.

Autoritetet kërkojnë nga banorët që nëse konstatojnë vatra zjarri të raportojnë në kohë pranë strukturave vendore, në mënyrë që të parandalohet përhapja e flakëve në sipërfaqe më të gjëra.

Klan News