Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një prononcim për mediat ka thënë se Këshilli Mbikëqyrës ka marrë në shqyrtim dhe ka miratuar Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë. Gjatë fjalës së tij, Sejko ka thënë se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme.

“Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij”, ka thënë Sejko.

Më tej, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka theksuar se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër.

Sejko sqaroi më me detaje ecurinë e ekonomisë në vend:

Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%. Kjo ecuri u diktua thuajse tërësisht nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse.

Nga këndvështrimi makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë tremujorit të dytë ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste shfaqen më të qëndrueshme. Rënia e inflacionit të importuar ka pasqyruar si ndikimin e forcimit të kursit të këmbimit, ashtu edhe rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Në veçanti, ngadalësimi i shpejtë i inflacionit të ushqimeve në vend ka ecur paralelisht me një ecuri të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, duke sugjeruar se kjo ecuri pasqyron një goditje pozitive oferte. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste mbështetet si nga kërkesa solide për mallra e shërbime, ashtu edhe nga rritja relativisht e shpejtë e pagave dhe e kostove të prodhimit.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pasqyroi rritjen e konsumit familjar, të investimeve të sektorit privat dhe të rritjes së eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave shënoi rënie, ndërsa politika fiskale vijoi të ndjekë një kurs konsolidimi. Ky profil kërkese ka sjellë zgjerimin e aktivitetit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë shënuan rënie. Të dhënat e tremujorit të dytë sugjerojnë një ecuri të ngjashme me ato të tremujorit të parë.

Analizat tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri pasqyrohet në nivelet e larta të shfrytëzimit të kapaciteteve të bizneseve, si dhe në mungesat e vëna re në tregun e punës.

Në veçanti, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është shoqëruar me rritjen e vazhdueshme të punësimit dhe të pagave në sektorin privat. Ndonëse të dhënat zyrtare për tregun e punës nuk janë ende të disponueshme, informacioni i tërthortë sugjeron se trendet pozitive të regjistruara në tregun e punës gjatë vitit të shkuar kanë vijuar edhe gjatë gjysmës së parë të vitit aktual. Rritja e pagave në sektorin privat gjeneron më shumë të ardhura për familjet shqiptare, por ajo vijon të ushtrojë presion mbi kostot e prodhimit dhe çmimet e konsumit.

Nga këndvështrimi makroekonomik, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, ambienti stimulues financiar, si dhe vijimi i trendit rritës të të ardhurave nga turizmi.

Në këtë kontekst, politika e kujdesshme monetare e ndjekur gjatë dy viteve të shkuara, ka rezultuar e suksesshme. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka mundësuar një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, si dhe ka ndihmuar në kontrollin e pritjeve për inflacionin. Gjithashtu, kujdesi që kemi treguar në reagimin e politikës monetare, ka ruajtur një ambient akomodues financiar.

Për pasojë, tregjet financiare vijojnë të jenë të qeta. Ato karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, prime të ulëta rreziku dhe një ofertë e mirë kredie, si në aspektin e kostove të kreditimit ashtu edhe në përqasjen e bankave ndaj tij. Gjithashtu, kursi i këmbimit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve të fundit, duke pasqyruar – ndër të tjera – edhe një nivel më të lartë blerjesh valute në treg nga Banka e Shqipërisë.

Kredia për sektorin privat ka vijuar të ketë një ecuri pozitive në tremujorin e dytë. Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rritje, duke regjistruar nivelin 14.6% në muajin qershor. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe —nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në lekë, në pasqyrim të nivelit të ulët të normave të interesit. Po ashtu, zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme.

Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër.

Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, ne vlerësojmë se balanca e rreziqeve ndaj këtyre projeksioneve është përgjithësisht neutrale.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.0%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 2.0%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 4.0%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Në fund të fjalës së tij, Sejko kishte dhe një koment lidhur me kreditë me probleme:

Banka e Shqipërisë është një institucion kushtetues, i mandatuar nga ligji me një mision thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit: atë të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të mbështetjes së stabilitetit financiar. I gjithë aktiviteti politikëbërës, rregullator dhe mbikëqyrës i institucionit, ka qenë dhe mbetet i orientuar ekskluzivisht drejt përmbushjes së këtij misioni.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ushtruar me përgjegjësi e profesionalizëm detyrën e tij, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Ai ka marrë gjithnjë vendime në interes të së mirës publike të vendit dhe të shoqërisë, ka monitoruar me vëmendje dhe në përputhje me mandatin ligjor zbatimin e detyrave të ngarkuara, si dhe është njohur rregullisht me raportimet e njësive organizative të Bankës, përfshi edhe ato të mbikëqyrjes bankare.

Në tërësi, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se aktiviteti i Bankës së Shqipërisë ka qenë në përputhje me bazën ligjore e rregullatore dhe i ka shërbyer përmbushjes së misionit të saj në linjë me nevojat e zhvillimit ekonomik të vendit.

Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.


/tvklan.al