Të udhëtosh drejt jugut të vendit edhe këtë verë duket se do të jetë një peripeci më vete.

Shumë prej akseve rrugore që i janë nënshtruar rindërtimit nuk kanë përfunduar ende, ndërkohë që punimet e hapura vështirësojnë qarkullimin e automjeteve.

Autostrada Lushnje-Fier, e nisur që në vitin 2006 është në afatet e fundit të përcaktuara në kontratë, por nga volumi i kryer deri më tani gjasat për përfundimin saj e në fund të qershorit janë të pakta.

“Tani punimet kanë një muaj janë shumë të kënaqshme them me këtë ritëm një korsi mund të hapet edhe nga data 15, kjo do të jetë shumë e mirë.”

“Punimet në autostradë janë shumë të ngadalta.”

“Janë shumë të vonuara, ne jemi shoferë po vuajmë Këmishte se ne kemi linjën këtej se na bie rruga gjithmonë edhe jemi shumë të pakënaqur me ketë vonesë që po bëjnë ata.”

Kompania italiane e cila kryen punimet ka asfaltuar pjesërisht vetëm njërin krah të rrugës, ndërkohë që prej pak ditësh ka filluar edhe shtrimi i pjesës tjetër.

Autostrada Lushnjë-Fier është një nga segmentet kyç të korridorit të 8-të me një vlerë prej 23 milion dollarësh të financuar nga qeveria italiane.

Në përfundim të saj ajo do të jetë e gjatë 22 kilometra me dy korsi për çdo drejtim./tvklan.al

Gazetare: Anila Sefa