Sirenat e luftës zgjuan këtë të Hënë, banorët e Tel Avivit. Ato u aktivizuan pas një breshërie raketash të hedhura nga Hamasi, shumica e të cilave u shkatërruan nga mbrojtja kundërajrore, por njëra prej tyre ra në lagjen periferike Holon pa lënduar njeri, përveçse duke shkaktuar dëme materiale.

Hamasi mori përsipër sulmin simbolik, që shënon 1-vjetorin e mësymjes së militantëve të tij në jug të Izraelit, ku humbën jetën 1200 izraelitë e u morën peng 251 persona, disa prej të cilëve mbeten edhe sot në duart e militantëve pro-iranianë.

Të tjera raketa hodhi mbi Izrael këtë të Hënë edhe Hezbollahu nga veriu. Ndërsa para parlamentit në Jeruzalem, flamujt u ulën në gjysmështizë, në një ceremoni përkujtimore për viktimat e atij sulmi.

Sulmi i 7 tetorit 2023 ishte zanafilla e një vale destabiliteti në Lindjen e Mesme, që deri më tani ka shkaktuar mbi 40 mijë të vrarë në Rripin e Gazës e 2 mijë viktima të tjerë në Liban nga sulmet izraelite, e që rrezikon të shndërrohet edhe në luftë të madhe mes Izraelit e Iranit.

Pas replikave në distancë të Shtunën, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan një bisedë telefonike.

Macron nuk u tërhoq nga propozimi për embargo armës për Izraelin, por sqaroi se kjo ide ishte vetëm për të nxitur paqen e jo për t’i mohuar Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur.

Tv Klan