Një operacion i përbashkët i Policisë së Shkodrës dhe Malit të zi, çoi në zbulimin e 3 parcelave të mbjella me bimë narkotike kanabis sativa. Në aksionin e dy policie, u bë i mundur asgjësimi i mbi 11 mijë bimë narkotike. Përgjegjës për ruajtjen e parcelave me bimë narkotike, rezultoi se ishte 28-vjeçari Mark Gilaj, i cili arrestua në flagrancë.

Edmond Sulaj, drejtori i Policisë Shkodër: Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhjetëshe, me municion dhe 1 armë gjahu çifte që posedoheshin pa leje. Që nga muaji janar i vitit 2024, deri sot, janë asgjësuar 249 834 bimë dhe fidanë kanabis sativa, si dhe janë evidentuar 242 raste të kultivimit.

Zëvendës drejtori i policisë së Malit të Zi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, tha se operacione të tjera mes dy vendeve pritet të finalizohen.

Lazar Shqepanoviq, zv.drejtor i Policisë në Malin e Zi: Ky është operacioni i parë që dy policitë vepruan si një trup i vetëm, por nuk do të jetë i fundit pasi do të ketë operacione të tjera të ardhshme në të mirë të ruajtjes së rendit dhe sigurisë në të mirë në të luftës ndaj krimit ndërkufitar dhe krimit të organizuar.

Drejtori i Policisë së Shkodrës u pyet mbi një kërcënim të mundshëm nga grupet kriminale, për të cilin dha këtë përgjigje.

Edmond Sulaj, drejtori i Policisë Shkodër: Nuk është aspak e vërtetë. Unë bëj një jetë normale që bën çdo qytetar shkodran, krahas profesionit që unë kam.

Për aksionin e përbashkët reagoi edhe ministri i brendshëm Taulant Balla. Në një postim në rrjetet sociale, ministri shkruan se bashkë me homologun e tij të Malit të Zi ndoqën operacionin kundër kultivimit të drogës dhe për këtë së bashku përgëzojnë dy policitë.

Klan News