Rreth 15 deputetë të Partisë Socialiste kanë hartuar një dokument të cilin do ta paraqisin nesër në mbledhjen e grupit. Thelbi i këtij dokumenti është rikompozimi i qeverisë me të gjithë faktorët brënda Partisë Socialiste, plus aleatët. Letra e cila ka dhe disa pika të tjera nuk është bërë ende publike, por do ti dorëzohet nesër kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi.

Ndërkohë ende pa e marrë letrën në dorë, kryetari i grupit parlamentar socialist i cilësoj si të sajuara kërkesat e përpiluara nga një grup deputetësh socialist përkrahës të ish kryeministrit Ilir Meta. Gramoz Ruçi nuk komentojë nëse do të ketë apo jo kundër reagim të strukturave drejtuese të Partisë Socialiste, ndaj atyre deputetëve që nuk do të miratojnë kandidaturat ministrore të propozuara nga kryeministri Fatos Nano.

Gramoz Ruçi: “Këto kërkesa të sajuara tani dhe s’jam këtu për të dhënë komente për ato që ka ndërmend shtypi të bëjë”.

Lidhur me dërgimin e emrave të dërguara në presidencë, pa u konsultuar më parë me grupin parlamentar, në bazë të statutit të partisë nuk vërehet shkelje, sepse për propozimet e kryetarit Fatos Nano merr vendim vetëm kryesia e Partisë Socialiste./tvklan.al