Bilanci në prag të 14 Majit, 16 procedime penale janë ende nën hetim nga SPAK

Një pjesë e procedimeve penale që lidhen me çështjet zgjedhore të 25 Prillit 2021 nuk kanë marrë ende përgjigjie nga SPAK edhe pse kanë kaluar 2 vjet dhe vendi është në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Sipas raportit vjetor te Prokurorisë së Posaçme me këtë institucion janë depozituar 152 kallëzime, nga subjekte politike në lidhje me parlamentarët e 25 Prillit 2021.

Paditë lidhen kryesisht me shitblerjen e votave. Hetuesit kanë vendosur që të regjistrojnë si procedime penale vetëm 66 çështje, për të cilat kanë shpresuar se do të siguronin prova. Por, gjatë dy viteve vetëm 5 dosje janë dorëzuar në gjykatë dhe 7 persona janë duke u përballur me drejtësin për krime zgjedhore. Çështjet janë në proces gjykimi në të dyja shkallët dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Në Gjykatën e Posaçme SPAK ka dorëzuar edhe kërkesën për pushimin e 12 procedimeve penale, pasi nuk janë siguruar prova dhe fakte për implikimin e 4 personave të dyshuar. 25 procedime janë transferuar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve, sepse nuk janë subjekt i SPAK-ut personat e dyshuar.

Aktualisht 16 çështje penale për krimet zgjedhore janë duke u hetuar nga SPAK. Organi i akuzës ende nuk ka marrë një vendim për fatin e këtyre procedimeve, nëse ka ose jo shkelje ligjore. Në raportin e Prokurorisë së Posaçme evidentohet se 20 padi nuk kanë kaluar as fazën e verifikimit.  69  materiale ose informacione të tjera, janë kthyer në polici ose janë dërguar në prokuroritë e rretheve për vijim të hetimeve.

Klan News