Presidenti ukrainas Volodymr Zelenskiy mbërriti në Gjermani ku iu bashkua kancelarit gjerman Olaf Scholz, delegatëve dhe përfaqësuesëve të qeverisë për “Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës” 2-ditore që mbahet në Berlin.

Zelenskiy u shpreh se masat në lidhje me sektorin energjetik të Ukrainës, të dëmtuar nga sulmet ajrore ruse, do të ishin prioritet, si dhe mbështetja e vazhdueshme ushtarake. Duke përfshirë mbrojtjen ajrore dhe prodhimin e përbashkët të municioneve përpara samitit të paqes që do të organizohet nga Zvicra.

“Që në vitet e para të sundimit të tij, ai i ka konsideruar burimet e energjisë si një armë për të ndikuar dhe nënshtruar kombet. Ne do të dalim nga kjo konferencë me marrëveshje me vlerë miliarda euro për mbrojtjen tonë, për prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe armëve në Ukrainë, për sektorin tonë energjetik, arsimin në komunitete, ndërtimin e banesave dhe furnizimin me pajisje mjekësore.”

E pranishme në “Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës”, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen u shpreh se Ukraina do të marrë 1.5 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse në korrik.

“Ne kemi thënë gjithmonë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e saj dhe tani ne e bëjmë Rusinë të paguajë. Rreth 1.5 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse do të bëhen të disponueshme në korrik. 90% e këtyre fondeve do të shkojnë për mbrojtje, 10% për rindërtim dhe më vonë këtë javë në samitin e G7, ne do të diskutojmë më tej se si Ukraina mund të përfitojë edhe më shpejt dhe akoma më shumë nga të ardhurat e aseteve ruse.”

Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh se vendet së bashku do të ndërtojnë një Ukrainë më të fortë të lirë dhe më të pasur se më parë. Duke cituar vlerësimet e Bankës Botërore se Ukrainës mund t’i duhen 500 miliardë dollarë gjatë një dekade, Scholz tha se kompanive duhet t’u ofrohet një rast biznesi për të investuar.

Mes të tjerash Von der Leyen u shpreh se bisedimet e pranimit me Ukrainën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian do të fillojnë në fund të këtij muaji, me Ukrainën që të ketë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme që ajo të bëhet anëtare e bllokut. Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës do të synojë nisjen e 95 projekteve investuese për të cilat shpresohet se do të sigurohet financimi perëndimor, si dhe një sërë objektivash reformash.

Klan News