Forcat e Ukrainës përparuan më tej në rajonin Kursk të Rusisë të mërkurën dhe tani që inkursioni ka hyrë në javën e dytë, Kievi pretendon se territori do të shërbejë si një zonë tampon për të mbrojtur zonat kufitare nga sulmet ruse.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se trupat kanë lëvizur përpara në disa drejtime në rajonin e Kursk dhe kanë kapur rob mbi 100 ushtarë rusë.

Pamjet satelitore nga rajoni i pushtuar rus i Kurskut tregojnë se të dyja palët po hapin llogore, ato ruse janë rreth 50 kilometra në veri të qytetit Sudzha.

Ukraina gjithashtu po ndërton fortifikime të reja përgjatë kufirit me Rusinë midis rajoneve Kursk dhe Sumy në përgatitje për një sulm të mundshëm të Moskës. Punëtorët po përdorin makineri të rënda për të vendosur linjat e reja mbrojtëse, mes tyre të ashtuquajturat dhëmbët e dragoit (struktura betoni që synojnë pengimin e tankeve) dhe tela me gjemba.

Televizioni publik i Ukrainës transmetoi të mërkurën pamjet e trupave ukrainase duke hequr një flamur rus nga një ndërtesë zyrtare në qytetin Sudzha. Në kronikën televizive shfaqen tre ushtarë ukrainas që hedhin flamurin rus dhe thërrasin “Lavdi Ukrainës”. Më pas korrespondentja e televizionit nënvizoi se forcat ukrainase kanë nën kontroll të plotë qytetin Sudzha, një qendër kryesore e transitit të gazit.

Në pjesën tjetër të rajonit, aty ku ndodhet ushtria ruse vazhdojnë evakuimet. Këto janë pamje nga evakuimet nga rrethet Rylsk dhe Lgov të rajonit Kursk. Rylsk është një qytet me rreth 14,000 banorë rreth 26 kilometra larg kufirit ruso-ukrainas.

Rusia ndërkohë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme edhe në rajonin fqinj të Belgorodit. Ky rajon është nën sulmin e vazhdueshëm me dronë nga ushtria ukrainase.

Guvernatori i rajonit tha se situata është “jashtëzakonisht e vështirë”.

Në Moskë nuk po e quajnë ende pushtim operacionin ukrainas, por janë mjaftuar me fjalën situata. Ndërsa Ministria ruse e mbrojtjes transmeton rregullisht pamjet nga luftimet me forcat ukrainase në rajonin e Kurskut. Këtu shfaqet luftimi me avionin Sukhoi Su-25.

Blogerët rusë të luftës raportuan beteja intensive në të gjithë frontin e Kurskut. Thuhet se Rusia po sjell ushtarë dhe armatim të rëndë dhe se sulmi ukrainas është zmbrapsur, por kjo është pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar mesazhin që merr publiku.

Klan News