Rreth 20 mijë të rinj dhe të reja pritet që të ndjekin kurset e Qendrës TUMO në fushën e teknologjisë dhe kodimit këtë vit pranë Piramidës. Gjatë konferencës ndërkombëtare për teknologjinë e informacionit kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se do shtohen edhe dy programe të reja studimi.

“Mezi pres që këtë vit të kemi 20 mijë nxënës dhe nxënëse, nga 12 deri 18 vjeç, që të ndjekin kurset e TUMO-s. Ndërkohë, për moshën nga 18 deri 22 vjeç jemi gati të fusim projektin ‘Ecole 42’ nga Franca dhe për moshën mbi 22 vjeç, për start-up, “Plug&Play” nga Kalifornia. Me z. Granoff nga AADF patëm një diskutim se si këto kurse t’i fillojmë semestrin tjetër dhe ta bëjmë Tiranën kampione, ashtu siç është në shumë fusha, në turizëm, në dizajn urban, e në shumë prej aktiviteteve të tjera. Në fushën e teknologjisë ne sot po ecim më shpejt se çdo vend tjetër dhe Sigurisht, Tiranës “i ka hije” që të jetë e para, ashtu siç është edhe në të gjitha fushat e tjerë.”

Veliaj theksoi rëndësinë e këtyre fushave në zhvillimin e qyteteve dhe përmirësimin e jetës së brezave të ndryshëm.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Tirana është mbushur me jetë dhe aktivitete, por mbi të gjitha me konferenca si këto, që promovojnë digjitalizimin dhe kulturën e punëve të së ardhmes në Tiranë. Fakti që Tirana sot është ekosistemi më interesant në Ballkan, ku punësimi më i lartë është në fushën digjitale dhe në fushën e turizmit, dhe fakti që Tirana është sot shembulli numër 1, ku fëmijët nga mosha 12-18 vjeç e quajnë të drejtë digjitale arsimin te TUMO.”

Konferenca e mbajtur në Tiranë pritet të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe të nxjerrë në pah rolin e Shqipërisë për inovacionin dhe teknologjinë në rajon.

Klan News