Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në Shqipëri. Ministria e Mbrojtjes njofton se si pasojë e punës së strukturave të Mbrojtjes Civile janë shuar 23 vatra zjarri.

Vatër problematike ka qenë në fshatin Shishtavec të Bashkisë Kukës, e cila është izoluar plotësisht, falë ndërhyrjes së koordinuar të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe Helikopterit Cougar.

“Vijojnë të mbeten aktive, por pa rrezik për jetën dhe pronën e qytetarëve, vatrat e zjarrit në fshatin Mazhar, bashkia Selenicë dhe në fshatin Tuç, bashkia Fushë-Arrëz”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 336 forca zjarrfikëse, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe vullnetarë, të mbështetur nga helikopteri Cougar. Angazhimi i këtyre forcave ka sjellë stabilizimin e situatës në të gjithë vendin.

“Ftojmë qytetarët të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë çdo incident. Dëmtimi i pronës me zjarr ndëshkohet sipas ligjit. Institucionet përkatëse do të vazhdojnë monitorimin dhe janë të gatshme të veprojnë për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve”, përfundon Ministria e Mbrojtjes./tvklan.al