Në vizitën e tij në Indonezi, Papa Françesku u kërkoi liderëve politikë në Indonezi, vendi më i populluar me shumicë myslimane në botë, që të ruhen nga ekstremizmi fetar, i cili sipas tij shtrembëronte besimet fetare të njerëzve nëpërmjet mashtrimit dhe dhunës.

“Për të nxitur një harmoni paqësore dhe të frytshme që siguron paqen dhe bashkon përpjekjet për të hequr çekuilibrat dhe vuajtjet që vazhdojnë ende në disa zona të vendit, Kisha dëshiron të rrisë dialogun ndërfetar. Në këtë mënyrë, paragjykimet mund të eliminohen dhe një klima e respektit dhe besimit të ndërsjellë mund të rritet. Kjo është e domosdoshme për përballimin e sfidave të përbashkëta, duke përfshirë atë të luftimit të ekstremizmit dhe intolerancës, të cilat përmes shtrembërimit të fesë përpiqen të imponojnë pikëpamjet e tyre duke përdorur mashtrimin dhe dhunën”, tha Papa.

Në fjalimin e tij të gjatë një udhëtimi  12-ditor nëpër Azinë Juglindore, Papa tha se Kisha Katolike do të rrisë përpjekjet e saj drejt dialogut ndërfetar.

“Në rajone të ndryshme ne shohim shfaqjen e konflikteve të dhunshme, të cilat shpesh janë rezultat i mungesës së respektit të ndërsjellë, i dëshirës intolerante për të lënë të mbizotërojnë me çdo kusht interesat e veta, pozicioni i dikujt ose tregimi i pjesshëm historik i dikujt, çon në vuajtje të pafundme për komunitete të tëra dhe rezulton në luftëra dhe shumë gjakderdhje”, u shpreh ai.

Indonezia ka një popullsi prej rreth 280 milionë banorësh dhe vlerësohet të jetë rreth 87% myslimanë. Liria e besimit është e garantuar në kushtetutën e vendit. Ka pasur disa incidente të dhunës ekstremiste në vend vitet e fundit, duke përfshirë sulme vetëvrasëse me bomba në 2021 dhe 2022 nga persona të lidhur me grupin e frymëzuar nga Shteti Islamik Jamaah Ansharut Daulah (JAD).

Incidenti i vitit 2021 ndodhi pak para festës së Pashkëve të Krishterë dhe plagosi të paktën 19 persona. Në fjalimin e tij për mirëseardhjen e Papës në Indonezi, Presidenti Joko Widodo falënderoi Françeskun për përpjekjet e tij për të bërë thirrje për një armëpushim në luftën Izrael-Gaza.

Gjatë vizitës së tij në Indonezi Françesku do të marrë pjesë në një takim ndërfetar në Xhaminë Istiqlal, xhamia më e madhe në Azinë Juglindore. Ati i Shenjtë do të udhëtojë në Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singapor përpara se të mbërrijë në Romë më 13 shtator.

Klan News