Tatimet: Plotësoni saktë të dhënat bankare

Janë 2700 punonjës, të cilët nuk kanë marrë ende pagën e luftës, pasi punëdhënësit nuk i kanë plotësuar saktë të dhënat bankare dhe nuk i kanë korrigjuar pas njoftimit nga administrate tatimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën me 2700 emrat e individëve që nuk e kanë marrë ende ndihmën financiare, ndërsa u bën thirrje që të plotësojnë saktë të dhënat bankare. Në këtë rast duhet që të dhënat të plotësohen nga punonjësi dhe jo nga kompania, më pas të dërgohen në adresën e tatimeve.

“Plotësimi i Formularit të të dhënave bankare, është i thjeshtë dhe duhet të kryhet vetëm nga individët, për të cilët ende nuk është kryer korrigjimi i të dhënave nga subjektet punëdhënës. Pas dorëzimit të tij do të vijohet menjëherë me kalimin në mënyrë automatike të masës së përfitimit”.

Afati për të bërë korrigjimet është data 31 Gusht e këtij muaji, më pas Tatimet do të mbyllin tërësisht këtë proces, përfshirë dhe ankesat për përfitimin e pagave të luftës. Deri tani kanë përfituar ndihmë financiare nga këto paketa 214 310 individë.

Për shkak të bllokimit të bizneseve si pasojë e pandemisë qeveria ofroi dy paketa mbështetëse në mënyrë që punonjësit të mos mbeteshin pa pagë, e para ndihmoi bizneset e vogla që u mbyllën me urdhër nga Ministria e Shëndetësisë me 3 paga me vlerë 26 mijë lekë, ndërsa e dyta dha një rrogë 40 mijë lekë për të gjithë të punësuarit në bizneset e vogla, përfshirë ato që qëndruan hapur, me përjashtim të dyqane ushqimore dhe farmacive, si dhe të pushuarit nga puna nga bizneset e mëdha.

Tv Klan