Një 28-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia në Kukës, pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së bashkëjetueses së tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Bicaj, për shkaqe momentalisht të paqarta.

“Menjëherë pas njoftimit se me qëllim kanosjen, 1 shtetas kishte qëlluar 1 herë, me armë zjarri pistoletë, në drejtim të banesës së bashkëjetueses së tij dhe familjarëve të saj, në fshatin Bicaj, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit. Si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti shtetasi B. H. (A)., 28 vjeç, banues në fashtin Shtiqen, për kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën”, thuhet në një njoftim për mediat.

Ndërkohë, policia arrestoi babain e të riut pasi tentoi të pengojë zbulimin e së vërtetës për këtë rast, ndërsa në shtëpi iu gjetën tritol e sende të tjera të jashtëligjshme. Autoritetet sekuestruan gjithashtu edhe pistoletën me të cilën qëlloi 28-vjeçari.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë babai i 28-vjeçarit, shtetasi B. A., 54 vjeç, sepse duke fshehur gëzhojën, tentoi të pengojë zbulimin e së vërtetës në lidhje me rastin, si dhe sepse gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 1 kallëp tritol, 1 armë gjahu, municion  dhe 1 përforcues grushti”, thotë më tej policia e Kukësit në njoftim./tvklan.al