47 policë të lënduar nga protesta e dhunshme në Maqedoninë e Veriut




47 policë të lënduar nga protesta e dhunshme në Maqedoninë e Veriut

18:40 06/07/2022

Arrestohen 11 vetë, Kovaçevski: 27 Prilli s’do të përsëritet

47 policë të lënduar, prej të cilëve 11 me lëndime më të rënda dhe tre me lëndime serioze si dhe 11 protestues të arrestuar është bilanci i protestave të mbrëmshme të dhunshme kundër propozimit francez që nisën para qeverisë, për të vazhduar para ndërtesës së Ministrisë së Jashtme dhe duke përfunduar para Kuvendit të RMV-së.

Dhunën e mbrëmshme e ka dënuar Kryeministri Kovaçevski.

“Kam një mesazh për nxitësit e protestave, mos manipuloni dhe mos keqpërdorni të rinjtë për të përfituar politikisht. Skenari juaj i mbrëmshëm rezultoi me mbi 40 policë të lënduar. 27 Prilli nuk do të përsëritet”, ka shkruar Kovaçevski në Facebook.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili i ka vizituar policët e lënduar, për sulmin ndaj institucioneve paralajmëroi dënime të rrepta për pjesëmarrësit dhe organizatorët.

“Të gjithë e dimë se kush qëndron pas protestave dhe kush bënte thirrje për protesta. Kjo nuk është sekret. Njerëz të maskuar shkaktuan këtë dhunë. Sulmi ndaj policëve, institucioneve nuk është demokraci, por vandalizëm dhe dhunë”.

“Pasojat nga sjellja e mbrëmshme е egërsuar para Kuvendit. Pranoj dhe mbështes të drejtën e secilit në protestë, të shprehjes së qëndrimit. Vazhdimisht dhe fuqishëm e dënoj huliganizmin, dhunën, nxitjen e urrejtjes sepse ato nuk janë zgjidhja”, ka shkruar Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, duke publikuar një video nga hapësirat e brendshme të Kuvendit.

Por, VMRO-DPMNE-ja konsideron se dhuna e shkaktuar në protesta është si rezultat, siç thonë, i instalimeve policore të LSDM-së.

“Kjo nuk është vepër e popullit, as e VMRO-DPMNE-së, por instalimeve policore të pushtetit, të cilët me shkaktimin e incidenteve dhe eskalimit, dëshirojnë të kalojë tradhtia. Kovaçevski duhet t`i përgjigjet opinionit nëse pas njerëzve të infiltruar qëndrojnë Spasovski dhe Zeçeviçi”.

Ndryshe, në protestat e mbrëmshme të opozitës maqedonase, sikundër edhe në ato të mëparshmet, nuk është anashkaluar fyerja ndaj shqiptarëve.

Edhe për sonte organizatorët kanë bërë thirrje për protestën e radhës në ora 19:00 para ndërtesës së Qeverisë. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se policia ka njohuri se një skenar i njëjtë i protestave të dhunshme përgatitet edhe për sonte, duke bërë të ditur se po përgatiten edhe bombo molotov për të sulmuar institucionet vitale të vendit.

Klan Maqedonia










Të ngjashme