Lajme Arkiva 2003

Kryengritja nisi pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari në 14 Shtator të vitit ‘98, kulmi i saj arritur para kryeministrisë kur turma e irrituar me arkivolin e të ndjerit ju sul derës së institucionit. Një ngjarje e cila u dokumentua më pas për drejtësinë me filmimet e kryera nga kamerat e televizioneve.

Ishin pikërisht filmimet që u morën nga Prokuroria e Përgjithshme si prova për të fajësuar rreth 30 të pandehur, për akuzat e kryengritjes së armatosur dhe shkatërrimit të institucioneve shtetërore.

Vepra penale që rrezikon e secilit prej tyre dënimin me të paktën 15 vjet heqje lirie. Në atë kohë Ministri i Rendit Perikli Teta, premtoi se do të viheshin para përgjegjësisë personat organizatorë të kryengritjes.

Perikli Teta: Nuk mund të bëhet Shqipëria shtet i dhunës, i gjegjeve dhe i plaçkitjeve. Unë deklaroj në emër të policisë sepse policia shqiptare nuk do të lejojë askënd që të dhunoj institucionet. Ne do ti mbrojmë institucionet me gjak, duke filluar që nga unë.

Në bankën e të akuzuarve u ulën Antoneta Malaj, një nga drejtueset e Televizionit Shqiptar, kreu i legalistëve Ekrem Spahia, Sali Lushaj, Dem Dollapi dhe të tjerë persona të cilët njiheshin si përkrahës të Partisë Demokratike. Kjo e fundit e cilësoi procesin si politik.

Në Gjykatën e Tiranës, çështja u ndal në tre procese, duke u gjykuar nga tre gjyqtarë të ndryshëm. Që nga fillimi i këtij procesi dëshmuan dhjetëra persona përfshirë edhe krerë të lartë të Partisë Demokratike.

Ndërsa si prova kyçe akuza la në duart e gjykatës filmimet ku dalloheshin sipas saj në turmën kryengritëse edhe fytyrat e personave që pas kësaj ngjarje u ulën në bankën e të akuzuarve.

Asnjëra prej dosjeve që nisën bujshëm në gjykatë nuk arriti të përfundojë para se të pandehurve tu përfundonin afatet e paraburgimit.

Arsyeja sepse shumica e seancave u shtynë njëra pas tjetrës, herë për mungesë të prokurorëve dhe herë të gjyqtarëve të çështjes.

Nga prokuroria dhe gjykata kishte reagime ku secili institucion pretendonte se nuk mbante përgjegjësi për dështimin e këtij procesi me shumë të akuzuar.

Ata u liruan njëri pas tjetrit dhe i fundit që la qelinë ishte Sali Lushaj, duke e lënë garancinë pasurore prej 15.000 dollarësh dhe me një raport që vërtetonte gjendjen e rënduar shëndetësore për shkak të turbekulozit, Lusha u largua për në belgjikë ku kukoi më pas azil politik.

Tashmë në Gjykatën e Tiranës, procesi me emrin 14 shtatori shënohet ende në listat e seancave me ndryshimin se në krahasim me proceset e tjera ato nuk zhvillohen. Një çështje për të cilën ende, ndonëse kanë kaluar 5 vjet, shkalla e parë e gjyqësorit nuk dha asnjëherë një vendim.

Megjithatë askush nga autoritetet e drejtësisë nuk dha një arsye për zvarritjen në dështimin e këtij procesi, por kur secila palë tregoi se nuk deshi të merrte përsipër dënimin qoftë edhe të një prej të pandehurve që mund të interpretohej nga opozita si dënim politik./tvklan.al