Me mijëra bimë kanabis u zbuluan në qarkun e Shkodrës, në vijim të operacioni kombëtar anti-kanabis i koduar “Territor i pastër”. Në një njoftim për mediat, policia e Shkodrës thotë se “për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë”.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë kanabis, thuhet në njoftim.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë. Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë kanabisi të mbjellura në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellur në tokë). Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë kanabisi të mbjellura në tokë”.

Mësohet se grupet hetimore gjatë këqyrjes së vendngjarjeve kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon”, thuhet më tej në njoftim./tvklan.al