Hungaria i ka ofruar edhe një herë mbështetje Shqipërisë për të hapur tre kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës së saj në krye të BE-së. Kryediplomati Szijjártó pas takimit me homologun Hasani tha se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet nga pala shqiptare.

Peter Szijjártó, Ministri i Jashtëm i Hungarisë: Ju i keni plotësuar të gjitha kushtet, ndaj ne do të lobojmë mes shteteve anëtare të BE-së që të nisë sa më shpejt të jetë e mundur shqyrtimi i tre kapitujve të parë të anëtarësimit. Çdo vonesë është e dëmshme për interesat tona të përbashkëta si dhe për besueshmërinë e BE-së. Jemi duke përjetuar një situatë të vështirë në BE për të cilën nuk është gjetur asnjë përgjigje, siç është edhe zgjerimi i saj. Ilaçi më i mirë për të dalë nga kjo situatë është anëtarësimi i përshpejtuar i shteteve ballkanike. Si fqinj të këtij rajoni, ne e kuptojmë më së miri se BE-ja ka nevojë për BE-në më shumë se këto vende që do të sjellin energji të re. Ne jemi një nga shtetet mbështetëse të flaktë të këtij procesi.

Hasani theksoi se vizioni strategjik i Hungarisë për rajonin, është i frytshëm për përshpejtimin e procesit integrues.

Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme: Ne jemi shumë mirënjohës Hungarisë dhe ministrit Szijjártó  personalisht për mbështetjen e tyre. Hungaria ka qenë dhe mbetet vazhdimisht një avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duke e konsideruar zgjerimin e BE në këtë pjesë të Europës juglindore si një objektiv strategjik të politikës së saj të jashtme dhe fakti që presidenca aktuale hungareze e BE e ka bërë integrimin e Ballkanit Perëndimor një nga prioritetet e saj thelbësore është treguesi më i qartë i këtij angazhimi. Do të dëshironim që këtë vizion strategjik lidhur me rajonin dhe peshën gjeo-politike që është krijuar në kushtet komplekse që po kalon kontinenti ynë ta bënin të tyre edhe vende të tjera të Bashkimit Europian dhe vetëm kësisoj afrimi i vendeve tona me unionin do të fitonte ritimin e duhur dhe do të përparonte pa pengesa shpesh të panevojshme.

Hungaria do të organizojë Samitin BE-Ballkani Perëndimor dhe takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në vjeshtën e këtij viti.

Klan News