Ministri italian për Punët e Jashtme, Luigi Di Maio, ka qenë i ftuar në emisionin “Opinion” pas vizitës që zhvilloi në Shqipëri. Di Maio u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse Italia ka të njëjtën vëmendje ndaj Shqipërisë si vite më parë, apo është tërhequr.

Ministri italian tha se shteti i tij vijon të ketë të njëjtën mbështetje ndaj Shqipërisë dhe këtë sipas tij e dëshmon fakti që ai vetë ka vizituar dy herë brenda një viti vendin tonë.

Unë e di që Italia ka patur një rol të rëndësishëm që në përpjekjet për Pavarësinë e Shqipërisë, që në hapat e parë të Shtetit të ri shqiptar, për të vijuar më tej me mbështetjen ne fillim të viteve ’90, të themi në periudhën e demokracisë në vendin tonë. Por vërehet, ose të paktën ky është perceptimi im, se nuk është e njëjta vëmendje si në vitet ’90 apo në fillim të viteve 2000, duke sikur Italia është tërhequr, çfarë ka ndodhur, ka ndryshuar diçka?

Jo, besoj se këtë e dëshmon më së miri fakti që brenda më pak se një viti unë ndodhem për të dytën herë këtu. Ky vit ka qenë shumë i rëndësishëm për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë pasi kur Evropa, Këshilli i Evropës kishte ndalur procesin e zgjerimit me Shqipërinë, Italia menjëherë, në Nëntor të 2019, kërkoi rifillimin e procesit në Këshillin e Evropës dhe në muajin Mars i telefonova Kryeministrit Rama për t’i dhënë lajmin e mirë se e kishim zhbllokuar situatën, gjithsesi, ne vijojmë të mbetemi mbështetësit, aleatët dhe miqtë kryesorë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mezi presim të punojmë së bashku në Këshillin e Evropës dhe në Institucionet evropiane.

Por duket sikur nuk është më e njëjta vëmendje si më parë edhe ndaj shteteve të tjera përgjatë gjithë Adriatikut, si Malit të Zi, Shqipërisë, Kroacisë. Apo është një përshtypje e gabuar?

Unë nuk mund të përgjigjem edhe për paraardhësit e mi, por le të themi se tek Ministria e Jashtme e Italisë, tek Ministri i Jashtëm, ju do të gjeni përherë mbështetjen maksimale, pasi unë besoj fort në marrëdhëniet tona, jo vetëm në ato tregtare, por edhe në ato politike pasi ky rajon, rajoni i Adriatikut është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës, është një rajon që për nga vetë pozicioni, nga pikëpamja e aleancave, sikurse ajo me NATO-n, e aleancave evropiane dhe me Mesdheun, mund të ofrojnë shumë për këtë zonë të përbashkët, sikurse është Mesdheu, çka do të thotë mundësi të reja tregtare, për sipërmarrjet tona, për sipërmarrësit tanë si dhe për të rinjtë tanë që janë në kërkim të punës.

Zoti Ministër, Itali është partneri i parë ekonomik i Shqipërisë, por jo për nga investimet. Ka diçka që nuk shkon apo janë të mjaftueshme?

Jo, për mua si ish-ministër për Tregtinë me Jashtë dhe Ndërkombëtarizimin e Sipërmarrjeve, investimet nuk janë asnjëherë të mjaftueshme. Por më lejoni të them së në Shqipëri 50% e sipërmarrjeve të huaja janë italiane dhe në to janë të punësuar 90 mijë veta. Puna që jemi duke kryer tashmë së bashku me qeverinë shqiptare, sikurse lufta ndaj korrupsionit, marrëveshja në kuadër të Deklaratës së Përbashkët që nënshkruar sot paradite me Kryeministrin Rama, priren drejt rritjes së investimeve në Shqipëri.

Ka vështirësi përsa i përket investimeve italiane në Shqipëri?

Unë besoj se puna e madhe që jemi duke kryer së bashku, i referohem këtu prof. Paola Severino, që nëpërmjet kryesisë së OSBE-së, ne e vlerësojmë shumë kryesimin e OSBE-së nga Shqipëria, po punon për masat ndaj korrupsionit dhe kjo veprimtari shërben për të krijuar gjithmonë e më shumë një klimë sa më të favorshme për investimet e huaja në përgjithësi, por edhe për ato italiane. Puna që po kryejmë së bashku edhe në fusha të cilat duket sikur nuk kanë karakter ekonomik, në të vërtetë shërbejnë për të përmirësuar klimën e investimeve, ndaj i drejtohem të rinjve, por jo vetëm, se krijojnë mundësi të reja punësimi në këtë vend./tvklan.al