Edhe të dhënat zyrtare që mbërrijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave hedhin dritë mbi abuzimin e grosistëve të karburanteve me çmimet, të cilat u servirin konsumatorëve fundorë.

Më flagrante ndër derivatet e karburanteve është çmimi i benzinës, ku diferenca nga çmimi pas zhdoganimit, përfshi të gjitha akcizat apo detyrimet e tjera karshi shtetit, me çmimin në tabelë rezulton të jetë jo pak, por gati 45 lekë për litër.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë javës së kaluar një litër benzinë pa plumb ka mbërritur në doganë për 32,9 lekë, ndërkohë që pagesa doganore për litër, përfshi akcizën, tatimin mbi vlerën e shtuar apo taksën e karbonit, shkon rreth 51,4 lekë, pra një litër benzinë ka dalë nga dogana me një kosto që nuk i kalon të 84 lekët, ndërkohë që iu shit qytetarëve për 125 deri 130 lekë për litër. 

Po ashtu referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave edhe diferenca për  naftën, qoftë e cilësisë D1 apo D2, nga zhdoganimi deri në pikat e pakicës shkon deri në 30 lekë për litër.

Bazuar në këto shifra arrihet në përfundimin se marzhi i fitimit nga ana e grosistëve si dhe shitësve me pakicë kap shifra nga 20 në 40%, nivele jashtëzakonisht të larta po të kihet parasysh volumi i shitjeve të karburanteve, si një element jetik për ekonominë vendase./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro