Havzi Nela është poeti i fundit i varur në Europë, viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri. Imazhi i tij ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të ekspozitës dedikuar viktimave të sistemit komunist. Por ai nuk është i vetmi pasi në të janë paraqitur me foto apo pamje filmike krimet më të tmerrshme të asaj periudhe, si vrasjet masive dhe djegiet, gjyqet, asgjësimi, klerit, burgjet, kampet e përqendrimit dhe të punës, mjetet dhe format e torturës.

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zënë edhe krimet e fundit të mbijetesës së komunizmit nga 1988 deri në vitin 1991, të lusturuara përmes fotove të pa publikuara më parë.

Kristi Andoni: “Brenda një kuti të zezë, një Black box-i faktet reale të asaj periudhë aq të zezë vijnë nëpërmjet dritës dhe kjo e bën këtë ekspozitë shumë të veçantë.”

Në një kënd të veçantë pasqyrohet edhe goditja kundër klerit, fesë dhe institucioneve fetare, proces që u shoqërua me gjyqe, dënime apo eliminime fizike.

Peshkop Andoni: “Është një lloj thirrje e ndërgjegjes së shqiptarëve për periudhën që ka kaluar, diçka e domosdoshme, zakonisht njerëzit duhet të mos harrojnë.”

Qytetarë të prekur drejtpërdrejt ose jo sjellin dëshmitë e tyre për këtë periudhë të errët të historisë sonë.

Xhavit Matjani: “Unë jam djali i Hamit Matjanit, Xhavit Matjani. Jam internuar që në moshën 6 vjeç dhe deri në ‘91 kam qenë i internuar. Regjimi hapte fjalë Hamit Matjani ka therur djalin, por ja tekstualisht jam unë ai që po merrni në intervistë juve.”

Isen Shehu është i biri i njërit prej 22 intelektualëve që u pushkatua në vitin 1951, si autor të hedhjes së bombës në ish-ambasadën sovjetike.

Isen Shehu: “Ai është pushkatuar sepse ishte shkolluar në perëndim. Pas një jave është pushkatuar pa gjyq, së bashku me  21 intelektual të tjerë, brenda së cilës është edhe një femër Sabiha Kasimati.”

Por edhe statistikat e viktimave të sistemit komunist flasin vetë. Gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini