Akuza të ashpra për kryetarin e Bashkisë së Himarës Vasil Bollano. Pas pezullimit apo bllokimit të disa dhjetëra ndërtimeve në qytetin bregdetar të Himarës nga kryetari Bollano. Ndërtuesit kanë akuzuar këtë të fundit se po përpiqet të prishë biznesin e tyre pasi ata nuk e kanë mbështetur në zgjedhjet lokale ku Bollano kandidoi si përfaqësues Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Në një takim të zhvilluar me inciativën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ndërtimore Mark Nikolli ndërtuesit himariotë, të cilët pretendojnë se disponojnë të gjithë dokumentacionin për kryerjen e ndërtimeve të tyre, kanë derdhur një lumë akuzash të drejtpërdrejta për kryetarin e Bashkisë.

“Duan të ngrenë bizneset që iu interson atyre, njerëzit që iu intereson atyre dhe duan ta spastrojnë këtë strukturë biznesmenësh që ekziston sot në Himarë. I gjithë shqetësimi i tyre nuk është i shkruar, por është de facto d.m.th. ne nuk ekzistojmë këtu, po s’ka kontrata se jemi jashtë gardhit neve. Nuk ju intereson juve të jemi ne këtu.”

“Biznesi i madh po shkatërrohet falë zotit Vasillaq Bollano. Nuk është normale. Këtë gjë do ta bëjnë edhe shqiptarë të tjerë që nuk janë, sepse nuk afrohet asnjë firmë këtu, sepse edhe ne që kemi ardhur kemi dështuar, jemi bërë pishman që kemi ardhur në Himarë, kemi investuar të gjithë gjakun tonë këtu, jemi tepër të indinjuar.”

Disa ditë më parë Bollano së bashku me disa punonjës të tjerë të bashkisë bllokoi përreth 4 orë rrugën nacionale me pretendimin se strukturat shtetërore nuk i kanë dëgjuar kërkesat e tij për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë qytet. Sipas tij, kjo masë ekstreme ishte e vetmja zgjidhje për të tërhequr vëmendjen e shtetit.

Vasillaq Bollano: “Gjithë këto përpjekje që po bëhen nga Bashkia Himarë, prej datës 18 dhjetor që është kryer mandatimi dhe deri më sot, duket pak sikur kanë rënë në vesh të shurdhët në drejtim të disiplinimit të ndërtimeve pa leje, që është një nga pikat kyç sot për zhvillimin e turizmit elitar sikurse pretendojmë, bregdeti Jon deri në Ksamil.”

Ndërsa drejtori i përgjjithshëm i Policisë Ndërtimore Mark Nikolli në takimin që zhvilloi me Bollanon i shpjegoi se kjo polici kishte planifikuar prej kohësh prishjen e ndërtimeve pa leje në të gjithë vijën bregdetare nga Vlora në Sarandë, por aksioni ishte shtyrë në shtator pasi të mbaronte sezoni turistik.

Mark Nikolli: “Në qoftë se veprohet për prishje të ndërtimeve të paligjshme, unë, në emër të Policisë Ndërtimore, po ju deklaroj veprimin e rreptë të ligjit për disiplinimin e punimeve edhe në rastin e subjekteve ndërtuese që pajisen me leje ndërtimi. Policia Ndërtimore i ka mbyllur procedurat ligjore për ekzekutimin e 40 vendimeve për prishje, por nuk ëshë vepruar me qëllim që të mos cënohet sezoni turistik dhe unë sot jam këtu për të deklaruar nisjen e aksionit për prishjen e objekteve të paligjshjme jo vetëm në zonën e Himarës, jo vetëm në Bashkinë e Himarës, por përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Vlora deri në Sarandë. Do të synohet që deri në fund të vitit vija bregdetare të çlirohet nga të gjitha ndërtimet e paligjshme.”

Sipas Nikollit, është shumë e rëndësishme paraqitja e një studimi urbanistik për qytetin e Himarës për t’u rregulluar dhe planifikuar të gjitha ndërtimet në këtë zonë. Ky studim i ishte lënë si detyrë kryetarit të bashkisë prej disa muajsh, por, sipas Bollanos, ende nuk ka filluar puna për hartimin e një studimi të tillë. /tvklan.al