Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe dy shkallë të cilat të ndihmojnë të ngjitesh për të kontrolluar çdo gjë që të afrohet dhe të zbresësh poshtë në vetminë e izolimit.

Kështu mund të përkufizohet jeta e familjes së ngujuar për gjakmarrje e shfaqur në Teatrin Kombëtar  nën titullin “Allegretto Albania”.

 Nën interpretimin e artistit Mirush Kabashi, kryefamiljarit të pafajshëm të kësaj fatkeqësie janë përcjellë ndjenjat e një plage shoqërore si gjakmarrja.

Mirush Kabashi: “Duket që vepra nëpërmjet këtij problemi të madh del pak jashtë kornizave për të treguar sesa e shëmton njeriu, sa e karikaturizon njeriun ndjenja e agresivitetit, ndjenja e disa instinkteve pothuajse atavike, kafshërore që na kanë mbet edhe që jo pak përcillen sot në shoqëri dhe që po shkaktojnë këto tragjedi mjaft të mëdha dhe brenda familjeve. Ndodhem në pozicionin e familjarit, të babait, të qytetarit, edhe të shqiptarit, i cilit i vjen turp për këto fenomene atavike që akoma mbarten”.

Komedia serioze i ngjan një procesi diagnostifikimi mjekësor. Radiografia e një familjeje të izoluar që jeton brenda një hapësire nën presionin e së nesërmes.

“Temë e pa trajtuar, e parë në një këndvështrim komik, po për një fat shumë tragjik”.

Kristaq Skrami: “Kjo shfaqje vjen si rrjedhojë e memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet tre drejtuesve të teatrove shqipfolës të Tiranës, të Shkupit dhe të Prishtinës për një bashkëpunim sa më të ngushtë dhe sa më të gjerë ndërmjet tre teatrove”.

Teatri kombëtar për publikun do të ofrojë mbrëmjen e së shtunës një histori drithëruese nën titullin…duke prekur kësaj radhe një tjetër plagë të shoqërisë shqiptare, atë të dhunës në familje./tvklan.al