Në një konferencë të posaçme për shtyp ambasadori rus në Tiranë duke u munduar të zbusë situatën e krijuar në ditët e fundit mes dy vendeve ka hedhur poshtë se Moska zyrtare nga akuzuar Shqipërinë për shitje të armëve Gjeorgjisë.

Aleksander Levoviç Prishcepov: “Unë konfirmoj se nuk ka një deklaratë zyrtare të Rusisë që mund të akuzojë Shqipërinë se i ka shitur armë shtetit të Gjeorgjisë. Emri i Shqipërisë mund të jetë përmendur vetëm në listën e shteteve që i kanë shitur armë këtij vendi, por kjo nuk do të thotë se ne mund ta shohim si vepër kriminale këtë nga ana e Shqipërisë.”

Përfaqësuesi diplomatik i Moskës nuk ka dashur të bëjë komente mbi deklaratat e një dite më parë të kryeministrit Berisha mbi qëndrimin e Rusisë ndaj Shqipërisë edhe pse u shpreh se ky lajm, të cilin e ka mësuar vetëm nga mediat shqiptare, është pritur në mënyrë tepër emocionale në Tiranë.

Aleksander Levoviç Prishcepov: “Rregullat diplomatike nuk më lejojnë të komentoj qëndrimin e qeverisë shqiptare. Rusia ka qenë dhe do të mbetet për të zhvilluar marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë në të gjitha fushat. Këto që po ju them janë konfirmuar edhe nga qeveria ruse”.

I pyetur në lidhje me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Rusisë kur vetëm një ditë më parë Moska zyrtare e ka njohur pavarësinë e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, ambasadori rus përgjigjet:

Aleksander Levoviç Prishcepov: “Rasti i Kosovës është unikal. Ju vetë e keni pranuar, apo jo?”/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka