Nuk ka vend për panik. Shqipëria nuk rrezikon që në horizontin afatshkurtër të goditet nga vala shkatërrimtare që përfshiu sistemin bankar në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë ekspertët e fushës theksojnë se Banka e Shqipërisë dhe vetë shteti duhet të tregohen vigjilentë për t’i paraprirë çdolloj situate.

Për ish-Ministrin e Financave, zotin Anastas Angjeli, rritja e kredive të këqija është një sinjal që nuk duhet anashkaluar.

Anastas Angjeli: “Duhet konsideruar kjo krizë si një zile alarmi për sistemin bankar shqiptar për autoritetet mbikëqyrëse të bankës së Shqipërisë dhe autoritetin mbikëqyrës financiar të vendit më tepër në aspektin e fenomenit tashmë prezent në sistemin bankar shqiptar, atë të kredive të këqija. Shuma ka arritur në 2.7 miliard lekë dhe nga njëri tremujor, tremujori i dytë në krahasim me tremujorin e parë është rritur me gati 0.5 pikë, që do të thotë që ky fenomen, sidomos i vënë re në disa banka të vogla të sistemit bankar shqiptar. Mund të shndërrohet në një fenomen zinxhir dhe të shkaktojë ndoshta një dëm apo një kolaps tek këto banka”.

Për ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, Banka Qendrore duhet të tregojë më e ashpër në drejtim të kredive të këqija, të cilat kanë qenë shkaktare të krizës financiare që përfshiu Amerikën.

Shkëlqim Cani: “Tregu i kredive është i lidhur shumë me tregun e pasurive të paluajtshme dhe tregun e shtëpive, që janë një bazë e kolateralit edhe në Shqipëri. Ne në Shqipëri ende nuk jemi në këtë fazë, por ekonomia botërore unë nuk them dot që jemi kaq të integruar, do veprojë kaq fuqishëm në Shqipëri, por jo dhe pa veprim. Kjo krizë mund të, për shembull mund të vijë edhe në Shqipëri, supozojmë kriza e pasurive të paluajtshme dhe atëherë dhe në Shqipëri kolaterali do të jetë i dyshimtë, kështu që dhe kreditë do riklasifikohen.”

Ekspertët nuk e shohin të ndarë krizën financiare nga kriza globale e çmimeve. Kjo e fundit është reflektuar më shpejt në vendin tonë, tregues i së cilës është inflacioni i muajve të parë të këtij viti./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro