Për tu rikthyer kompetitiv, duhet të besosh tek më të mirët. Kjo po ndodh me Federatën angleze të futbollit, i cili ka zyrtarizuar afrimin e legjendës, Ashley Cole. Ish-mbrojtësi largohet kështu nga Birmingham City dhe do t’i bashkohet Federatës për të qenë bashkëpunëtor i Lee Carsley të paktën për një vit.

Cole do të marrë një rol me kohë të plotë brenda FA, pasi ka impresionuar drejtorin teknik John McDermott i cili është përgjegjës për gjetjen e pasuesit të përhershëm të Gareth Southgate. Me një përvojë të gjatë ndërkombëtare, mbrojtësi është legjendë e futbollit botëror.

Britaniku është një nga dhjetë lojtarët që ka luajtur mbi 100 ndeshje për “Tre Luanët”, duke grumbulluar 107 në total, i gjashti me më shumë sfida në historinë e kombëtares.

Trajnerit të Anglisë U-21, Carsley, iu besua për të udhëhequr kombëtaren në ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA-s kundër Republikës së Irlandës dhe Finlandës dhe pritet të qëndrojë në krye për të paktën dy ndeshje të tjera ndërkombëtare.

Nuk dihet ende nëse ai do të udhëheqë Anglinë përtej ndeshjeve të ardhshme të Ligës së Kombeve, pasi nuk e konsideron veten në mesin e kandidatëve për të marrë drejtimin e përhershëm të kombëtares.

Klan News