Qeveria vendosi të anulojë këtë të premte hyrjen në fuqi të vendimit që parashikonte që duke nisur nga 1 Tetori e gjithë sasia e energjisë mbi fashën 800 kilovat/orë të paguhej me çmimin 42 Lekë për kilovat/orë.

Zv/kryeministrja dhe njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka folur gjatë edicionit të lajmeve në TV Klan në lidhje me këtë vendim.

Ajo u shpreh fillimisht se qeveria nuk ka ndjerë aspak presion nga opozita për këtë çështje. Sipas saj, energjia është një shërbim bazik që i përket çdo qytetari dhe nuk ka lidhje me politikën.

Pyetje: Opozita ka bërë një deklaratë. Qeveria thotë e mori vendimin si pasojë e presionit të saj. Si e komentoni këtë?

Belinda Balluku: Për të thënë të drejtën nuk kemi ndjerë ndonjë presion të opozitës më vjen keq që e them këtë, për sa i përket energjisë. Mënyra si menaxhojmë energjinë nuk është politike. Unë respektoj opozitën kur duhet të bëjë opozitë, por kur thotë gjëra që nuk kanë bazë duhet të themi të vërtetën. Energjia nuk ka asnjë lidhje me politikën. Energjia është shërbim bazik që i përket çdo qytetari shqiptar. Dhe sa mirë e menaxhojmë ne e tregojnë faktet dhe numrat. Dhe si menaxhohej dikur energjia kur nga kaskadat prodhoheshin edhe 11 terra ndërkohë që ne në 2020 kemi prodhuar më pak se 3.7 terra për shkak të thatësirës, opozita nuk mund të thotë shumë gjëra. Opozita e ka pasur energjinë në dorë dhe i ka lënë shqiptarët në 2005, 2006, 2007, e në vazhdim me nga 5 orë drita në ditë dhe me shkëputje mbi 3-4 orë, opozita e cila vërtetë sot i ka pasur të gjitha mundësitë që të tregojë se si mund të menaxhohet energjia në Republikën e Shqipërisë. Ne përveç faktit që po optimizojmë prodhimin e kaskadës jemi duke punuar me një plan afatgjatë i cili nuk ka nisur me krizën, ka nisur që në 2019, për diversifikimin e burimeve. Synojmë që në vitin 2030 sistemi ynë i prodhimit të ketë plus 4 terravat për vit, të shtuara që do të kthejë Shqipërinë në një vend eksportues dhe jo importues të energjisë. Këto nuk janë projekte në letër siç opozita bënte dikur, siç thoshte për Skavicën që sot e nëm dhe mallkon, dikur opozita thoshte që Skavica ishte ëndrra e shqiptarëve. Ndërkohë ne zakonisht nuk i lemë ëndrrat, por i marrim dhe i bëjmë realitet. Kështu që mirë e ka opozita, por nuk e kemi ndjerë presionin e opozitës. Nuk merremi me presionet e opozitës, merremi me vendimmarrje të cilat janë në të mirë të qytetarëve.

Anulimi i fashës 800 KW/h, vendim i përhershëm apo i përkohshëm? Si përgjigjet Belinda Balluku\

Zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila njëkohësisht mban edhe detyrën e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka folur gjatë edicionit të lajmeve në Tv Klan në lidhje me vendimin e qeverisë për të anuluar hyrjen në fuqi të fashës 800 kilovat. Ajo u pyet nëse vendimi është i përhershëm apo i përkohshëm. Balluku theksoi se vendimi për fashën është marrë me kohë të kufizuar, pra sipas saj, për t’u rishikuar në çdo moment që do të jetë nevojshme.

Pyetje: Ky vendim është i përhershëm apo është i përkohshëm?

Belinda Balluku: Të falenderoj për pyetjen sepse ka një konfuzion sa i përket kësaj pyetjeje. Që kur kemi vendosur në bazë të analizave që një familje i mjaftojnë për të gjitha aktivitetet shtëpiake ditore të konsumojë rreth 800 kilovat orë dhe mbi 800 kilovat orë pastaj janë sasi të konsumuara sipas dëshirës së gjithsecilit dhe prandaj u vendos fasha për t’u paguar më shtrenjtë mbi 800 kilovat orë, pra shteti ofronte mburojën për sasinë e nevojshme dhe pastaj sasia e shtuar mund të paguhej më shtrenjtë nga qytetari, ne këtë e kemi bërë në bazë të një analize dhe llogarie të mirë studiuar. Megjithatë nëse e mbani mend dhe unë po e përsëris sot ne kemi aplikuar për miratim në ERE nga data 1 Tetor deri më 31 Dhjetor, duke i dhënë kështu mundësi kësaj fashe dhe çmimit të aplikuar mbi 800 kilovat orë që të ishte elastik dhe të kishte mundësi që të rishikohej herë pas here në bazë të konsumit dhe të kapaciteteve prodhuese të kaskadës. Ky është momenti kur kjo faktohet më së miri. Ne nuk kemi vendosur një fashë përgjithmonë, ne kemi vendosur një fashë në një moment të vështirë, pra vinim nga periudha e verës, thatësirë ku nivelet e kaskadës kanë arritur në nivele minimale, ku importi, ju kujtoj që në ditët e fundit të Gushtit çmimi në bursë ishte 1040 Euro. Pra në të gjitha këto kushte dhe duke qenë të ekspozuar nga Shtatori i vitit të kaluar është marrë vendimi për fashën, por është marrë me kohë të kufizuar, pra për t’u rishikuar në çdo moment që do të jetë e nevojshme./tvklan.al