Në ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, në Presidencë, nën kujdesin e Zonjës së Parë, Armanda Begaj, u organizua aktiviteti “Gruaja, shpirti i thesareve etnografike”.

Në kuadër të kësaj dite, përmes një sfilate, të shoqëruara nga vallet e krahinave përkatëse, u shpalosën kostumet tradicionale të vendit tonë nga Veriu në Jug, ato të Çamërisë, Kosovës, Ulqinit dhe Kalabrisë.

Kostumet u ekspozuan si një dëshmi e zhvillimit të hershëm të zejtarisë, me një origjinalitet që ka rrëfyer historinë tonë ndër shekuj, ndërsa Zonja e Parë, u shpreh se kulturën tonë etnografike duhet ta ruajmë me fanatizëm.

“Ne sot ndoshta nuk endim më sa dikur, nuk qëndisim e nuk përcjellim vajzën me pajën tradicionale të të parëve tanë, por kemi mundësi që kulturën materiale dhe shpirtërore, etnografinë shqiptare ta ruajmë me fanatizëm, ta pasurojmë, ta përhapim dhe ta trashëgojmë në brezat e ardhshëm. Le ta përdorim historinë tonë të lashtë dhe të pasur për të qenë krenar në çdo kohë për qenien tonë, krenar për kombin shqiptar”, u shpreh Zonja Begaj.

Ky aktivitet risolli dhe një herë në vëmendje përkushtimin e shumë zonjave që e ruajnë me fanatizëm dijebërjen e kostumeve dhe që vazhdojnë ta mbajnë gjallë.

Tv Klan