Arbër Hoxha ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe tifozëve me paraqitjet në këto dy ndeshje të para. Në studion e emisionit “Kampionët”, një nga temat kryesore të diskutuara ishte “A është Arbër Hoxha zbulimi i këtij Europiani?””.

Të ftuarit e Marina Vjollcës kanë pasur mendime të ndryshme, por ranë dakord në një pikë, që anësorit i duhen dhënë më shumë minuta nga Silvinjo.

Edmond Kapllani: Hoxha është zbulim i këtij europiani dhe nuk e njihja. E pashë në miqësore dhe në këto dy ndeshje. Ne kemi nevojë për këta lojtarë që kanë këto kualitete. Është fitim për ekipin tonë kombëtar dhe shpresoj të ketë më shumë minuta ndaj Spanjës.

Edhe Arjan Peço e vlerësoi shumë 25-vjeçarin dhe vuri në dukje cilësitë e tij teknike.

Arjan Peço: Ai dha shkëndija të mira që në ndeshjen e parë ndaj Kilit, të një lojtari anësor. Janë shumë të kërkuar në futbollin e sotëm sepse e vënë kundërshtarin në pozita të vështira sepse sulmojnë një me një. Për mendimin tim është faktori kryesor ose i vetëm, Hoxha, që ne ndryshuam rezultatin ndaj Kroacisë. Pati 4 ose 5 aksione dinamike ndaj kroatëve. Inicioi dhe golin e barazimit të Shqipërisë. E vështirë të luajë tek Shqipëria sepse ka hierarki në skuadër dhe nuk jemi shumë skuadër sulmuese.

Aktori Kastriot Çaushi ngriti një pyetje rreth Hoxhës që ngjalli debat në studio.

Kastriot Çaushi: A është Hoxha një zëvendësues? A mund të luajë nga minuta e parë? Nuk është provuar nga minuta e parë, a luan më mirë nga minuta e 65-të?

Arjan Peço: Luan tek Dinamo e Zagrebit. Eshtë djepi i futbollit kroat. Nuk është marrë kot, është marrë për biznes së pari dhe sepse luan mirë. Varet se çfarë do të bëjë trajneri nesër. Do të sulmojë apo do të presë.

Edmond Kapllani: Ai na bën më shumë punë në lojë. Unë mendoj se duhet të luajë. Ai ka cilësitë që luan tek zona e tretë. Na bën më shumë punë kur luan në pjesën e dytë.

Sonila Meço: Më ka pëlqyer mënyra, strategjia e Silvinjos. I ka thirrur duke njohur pikat e dobëta. I zgjodhi sipas tipareve, i mungonte asambli dhe me këtë kampionat po kolaudohet. Me Spanjën nuk kemi asgjë për të humbur dhe pse jo ta shikosh Hoxhën që nga fillimi. I vetmi që më ka suprizuar për mirë nga lojtarët tanë është Hoxha.

Por ndryshe mendon trajneri Sokol Haxhia për rastin e Arbër Hoxhës.

Sokol Haxhia: Detyra ime është të mbaj me këmbë në tokë futbollistët. Po flasim për një lojtar që për kombëtaren që nuk ka luajtur as 90 minuta. Jemi duke folur që ai është surpriza. Ai këtë vit mbush 26 vjeç. Kur je talent, Dinamo e Zagrebit të merr 16 ose 17 vjeç. Këta 25 ose 26 vjeç i blen që i shërbejnë për kampionatin kroat. Hoxhën e kanë ble rreth 1 milionë euro dhe e kanë marrë në janar. Nga janari deri në mars ka luajtur titular. Nga marsi deri në fund të kampionantit është aktivizuar nga stoli, e ka nis nga stoli. Të mendojmë që dikush që e nis nga stoli në kampionatin kroat do të na bëjë diferencën me Spanjën. Nuk dua të jem kundër korrenti. Uroj të bëj dopietë ose tripletë Hoxha, por ndonjëherë ne shqiptarët i fryjmë shumë lojtarët. Kështu kemi bërë dhe me Brojën. Sot më morën në telefon gazetarët, se e do Milani. Si mund të luajë tek Milani kur ka bërë dy gola me Kombëtaren? Milani ka pasur Van Basten në sulm, ka pasur Shevçekon. Nesër unë mund të them që Kaçin do e marrin drejtor sportiv tek Juventus. Gazetarët shkruajnë ato që i japin menaxherët. Unë uroj që Hoxhës vërtet t’i jepet shansi. Ka lojtarë që janë të fortë për 32 minuta, por ka dhe nga ata që janë të fortë në 90 minuta. Kam dëshirë ta shoh 90 minuta Hoxhën në fushë./tvklan.al