Në një vizitë në Paris, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve që t’i ofrojnë ndihmë për aq kohë sa duhet për të mbrojtur veten.

“Që nga nisja e agresionit në shkallë të plotë të Rusisë, aleatët NATO kanë ofruar mbështetje të paprecedentë, por boshllëqet dhe vonesat e fundit kanë çuar në pasoja reale në fushën e betejës. Kështu që unë pres që aleatët, kur të takohemi në samit, do të biem dakord që NATO të udhëheqë koordinimin dhe ofrimin e ndihmës për sigurinë për Ukrainën që të mund të vetëmbrohet, një e drejtë themelore e cila është e përfshirë në Kartën e OKB-së.”

Së bashku me presidentin francez të dy riafirmuan mbështetjen e tyre të vendosur për Kievin përballë agresionit rus. Macron u bëri thirrje vendeve evropiane të krijojnë një forcë mbrojtëse kontinentale si pjesë e NATO-s.

“Mbështetja jonë për Ukrainën mbetet konstante dhe ne do të vazhdojmë të mobilizojmë për të përmbushur nevojat imediate të Ukrainës, duke përcjellë mesazhin e vendosmërisë sonë të qartë për të qëndruar përkrah ukrainasve në një afat të gjatë.”

Ndërkaq furnizimet perëndimore me predha artilerie, kanë filluar të arrijnë në njësitë ukrainase në vijat e frontit, duke lehtësuar presionin mbi forcat më të mëdha se rusët.  Tani një fluks i ri ka filluar të mbërrijë në njësi pasi Kongresi Amerikan i dha fund muajve të vonesave dhe miratoi një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh.

Nga ana tjetër dy këshilltarë kryesorë të Donald Trump i kanë paraqitur atij një plan për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë .Sipas planit të hartuar nga Kellogg dhe Fred Fleitz, të cilët të dy shërbyen si shefa shtabi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trump gjatë presidencës së tij 2017-2021, që synon t’i thotë Ukrainës se do të marrë më shumë armë amerikane vetëm nëse hyn në bisedimet e paqes. Mes të tjerash Shtetet e Bashkuara do të paralajmëronin në të njëjtën kohë Moskën se çdo refuzim për të negociuar do të rezultonte në rritjen e mbështetjes së SHBA për Ukrainën.

Vendet anëtare të NATO-s do të takohen në Uashington më 9 dhe 10 korrik, me qëllim që të bien dakord për një paketë mbështetjeje për Ukrainën.

Klan News