Policia e Korçës arrestoi babin e 4 vajzave të mitura të cilat i ka shitur për qëllime trafikimi jashtë Shqipërisë. Agron Myrtezai nga fshati Çeravë i Pogradecit u arrestua me akuzën e trafikut të fëmijëve.

Sipas policisë që nga viti ’99 deri në korrik të këtij viti ai u ka shitur personave të ndryshëm të 4 fëmijët e tij. Fëmija më i madh ka qenë vetëm 12 muaj ndërsa më i vogli 2 muajsh të gjithë të shitur në qytetet Pogradec, Elbasan dhe Korçë kundrejt shumave që variojnë nga 40 deri në 55 mijë lekë të reja.

Njërën prej vajzave Myrtezai ia ka shitur një qytetari nga Greqia. Arrestimi i babait të 4 vajzave të shitura bëhet pak ditë pas arrestimit të Nazmi Krekës dhe Floresha Hoxhës.

Këta të fundit bashkëjetonin prej disa kohësh dhe sipas policisë trafikonin fëmijë për në Greqi duke i blerë nga prindërit e tyre. Pak javë më parë u arrestua me të njëjtën akuzë edhe një çift në Itali dhe një person në Greqi, por deri tani policia ende nuk ka konfirmuar nëse ka ndonjë lidhje mes këtyre personave në të njëjtin rrjet trafikimi./tvklan.al