Rreth 5400 fidanë dhe bimë narkotike janë zbuluar dhe asgjësuar nga policia në disa qarqe. Bëhet fjalë për disa zona në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër. Në qarkun verior të Shkodrës, është gjetur dhe sasia më e madhe e bimëve dhe fidanëve narkotike. Në njësitë administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal u gjetën mbi katër mijë fidanë dhe 412 bimë narkotike.

Në Mirditë në pyllin e fshatit Gëziq, u gjetën 500 fidanë kanabisi në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë. Për këtë rast u vu në pranga një 35-vjeçar, ndërsa u shpall në kërkim vëllai i tij. Gjithashtu policia njofton se nisi procedimi në gjendje të lirë dhe për kryetarin e fshatit dhe specialistin e pyjeve për fshatin Gëziq.

Në fshatin Vinjoll në Kurbin u asgjësuan me anë të djegies edhe 288 bimë. Edhe për këtë rast po hetohen në gjendje të lirë, kryetari i fshatit dhe inspektori i pyjeve.

Rasti tjetër që u zbulua nga policia ishte në fshatin Bodin në Elbasan, për të cilin u arrestua autori i dyshuar, dhe u procedua kryetari i fshatit për shpërdorim detyre. Gjithashtu në gjendje të lirë po hetohet edhe xhaxhai i të arrestuarit për mos kallëzim krimi.

Klan News