Ky është 51-vjeçar nga Shqipëria, i identifikuar si Andrea Kalemi i njohur ndryshe dhe me emrin Adriatik i cili ra pre e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në portin e ishullit Paksos të Greqisë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 10 gëzhoja, ndërsa autori dyshohet se është një bashkatdhetar i tij. Për identifikimin dhe kapjen e tij policia greke ka kryer kontrolle në pjesën më të madhe të ishullit grek ku u regjistrua dhe ngjarja e rëndë.

Adriatik Kalemi rezulton se është plagosur rëndë dhe është dërguar për kurim në spitalin e Janinës.

Media greke shkruajnë se Kalemi që prej datës 5 Gusht kishte shkuar me familjen e tij për pushime në Greqi, duke udhëtuar nga Italia.

Sipas policisë ngjarja e rëndë ka dyshime të jetë e lidhur me konflikte të së shkuarës ku 51-vjeçari mund të ketë qenë përfshirë ose për hakmarrje.

Kalemi rezulton të jetë kushëri i parë me Aleksandër Sadikajn të ekzekutuar në një atentat me tritol në makinë më 11 Qershor të 2022, në afërsi të zonës së Saukut në Tiranë.

Emri i Adriatik Kalemit u përmend dhe në dosjen hetimore të një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur në vitin e shkuar, atë të vrasjes së Edmond Papës në Dhjetor të 2022 në Tiranë.

Ngjarje kjo për të cilën policia ka vënë në pranga 1 nga dy autorët e dyshuar të vrasjes që dyshohet se u krye në shenjë hakmarrje për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt. 

Tv Klan