Futbollisti shqiptar nga Kosova, Labinot Bajrami, është bërë një nga më të përfolurit në Zvicër për momentin. Megjithatë nuk bëhet fjalë për ndonjë gol apo paraqitje të shkëlqyer të 19-vjeçarit.

Sulmuesi, i cili është pjesë e Zurich në Zvicër, u bë protagonist për keq, në sfidën e Kupës, ku skuadra e tij fitoi 2-0.

Labinot Bajrami, u fut në fushë nga stoli, por u zëvendësua sërish nga trajneri Ricardo Moniz. Ky i fundit nuk ishte i kënaqur me lojtarin dhe vendosi ta largojë.

Bajrami nuk e priti mirë zëvendësimin dhe ofendoi trajnerin e ti. Megjithatë, nuk përfundoi këtu. Babai i futbollistit nga Kosova, shpërtheu në ofendime ndaj trajnerit, madje e goditi atë edhe me çadër.

Situatë e tensionuar për disa minuta mes palëve, që u qetësua pas ndërhyrjes së pjesëtarëve të sigurimit.

Për Labinot Bajramin, pritet të ketë një dënim shembullor nga klubi i Zurich, ndërsa më shumë mundësi babai i tij do të përjashtohet përgjithmonë nga stadiumet në Zvicër, siç ndodh në raste të tilla. /tvklan.al