Në Tiranë këtë vit do të hapen 12 institucione të reja arsimore, shkolla, kopshte dhe çerdhe. Drejtoresha e përgjithshme e investimeve publike në Bashkinë e Tiranës, Ilda Qazimllari thotë se 7 prej tyre janë shkolla 9-vjeçare ndërsa pjesa tjetër janë kopshte dhe çerdhe.

Ilda Qazimllari, drejtore e përgjithshme e investimeve, Bashkia Tiranë: Është kopshti numër 37 i cili hap dyert, kopsht-çerdhja në Shkozë. Shkolla “Emin Duraku” ka ardhur si investim si një financim tërësor, për mobilimet edhe ndërtim po ashtu. Është hapur muajin e fundit të mbarimit të viti të kaluar shkollor. Si ajo po ashtu është edhe shkolla “Xhezmi Delli”, “Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta” dhe së shpejti ne presim që të fillojmë punimet për shkollën e re “Pjetër Budi”.

Në zonat të cilat nuk kanë asnjë kopsht apo çerdhe, Bashkia e Tiranës thotë se janë marrë ambiente me qira. Janë afro 500 fëmijë të cilët do të përfitojnë nga këto shërbime.

Ilda Qazimllari, drejtore e përgjithshme e investimeve, Bashkia Tiranë: Janë marrë disa vendime për të marrë objekte me qira që konsistojnë në dy çerdhe dhe në dy kopshte. Kjo për t’iu përshtatur sa më mirë nevojave të komunitetit, por edhe për të testuar në vazhdim nëse do të jenë nevoja konsistente apo do të jenë nevoja të përkohshme.

Disa prej shkollave në vend u janë nënshtruar rikostruksionit për të plotësuar standardet higjeno sanitare. Për të shmangur zhvillimin arsimit me dy turne në shkollat me numër të lartë nxënësish, rekomandohet që fëmijët të regjistrohen në shkollën pranë vendbanimit të tyre.

Tv Klan