Ministri i Brendshëm, Taulant Balla kërkon ndërhyrje energjike e të shpejtë në nivel inspektues në Shërbimin Zjarrfikës, për të parandaluar ngjarje me pasoja në të ardhmen dhe ruajtur jetën e pronën e qytetarëve.

Gjatë një takimi me drejtuesit e Shërbimit në 61 njësi vendore në Shqipëri ai theksoi se diferenca mes inspektimeve dhe masave është shumë madhe.

“Në vitin 2023 janë kryer 3,498 inspektime dhe diferenca me masat administrative është shumë e madhe, janë vendosur vetëm 42 masa. Nuk e besoj dot se ka kaq pak shkelje. Shoh dy mundësi, ose inspektimet janë selektive tek subjektet që nuk kanë probleme, ose janë kryer pa analizuar problemet reale”, tha Balla.

Për t’i dhënë fund një situate të tillë ai paralajmëroi një reformim total të këtij shërbimi që t’i përgjigjet sfidave me të cilat përballet sot vendi siç është edhe zhvillimi i turizmit.

“Nuk duhet të ketë asnjë objekt me intensitet të madh publik si hotel, kinema, etj., pa u inspektuar. Shqipëria kampione e turizmit në Ballkan, kërkon edhe një shërbim zjarrfikës kampion“, tha Balla.

Balla tha se për të patur sukses në këtë drejtim duhet plotësuar baza e plotë nënligjore për rekrutimet, trajnimet, menaxhimin e të dhënave, si dhe përmirësimin e transparencës së inspektimeve ndaj bizneseve.

Tv Klan