356 persona janë shoqëruar gjatë gjithë këtyre ditëve të protestave në kryeqytet pas vrasjes së Klodian Rashës. 128 prej tyre janë të mitur, pra persona nën moshën 18-vjeçare.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, u shpreh këtë të martë gjatë emisionit “Opinion” se mes tyre ka edhe fëmijë të moshës 12-vjeçare. Ajo shtoi se policia ka kryer veprimet në mënyrë të shpejtë në mënyrë që t’i lirojë sa më parë, por e ka kryer këtë me probleme proceduriale.

Ballanca tha se prej të miturve vetëm 4 janë arrestuar ndërsa pjesa tjetër është liruar.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve janë shoqëruar 356 persona prej të cilëve 128 të mitur. Nën 18, fillojnë nga 12 vjeç. Ka pasur të shoqëruar nga 12 vjeç për shkak se në momentin e parë kur policët i kanë ndaluar nuk kanë ditur, ose nuk kanë qenë të sigurt në lidhje me moshën reale. Nga të gjithë këta persona të shoqëruar, për momentin që janë shoqëruar janë kryer veprimet pavarësisht se me probleme proceduriale, janë kryer veprimet në një kohë të shpejtë, është munduar policia pavarësisht se ka shkelur disa procedura për thirrjen e prindit apo psikologut, i ka kryer procedurat për të miturit shpejt që t’i ndalojë dhe të mbajë të arrestuar vetëm 4 të mitur, ndërsa të tjerët janë liruar”, tha Ballanca.

Avokatja e Popullit u shpreh se gjenda në komisariatet e Tiranës nuk është  e mirë për kushtet normale të akomodimit dhe shoqërimit. Sipas saj, situata është rënduar pasi ka pasur një mbipopullim duke anashkaluar situatën e distancimit social.

“Gjendja e komisariateve në Tiranë nuk është e mirë. Nuk është e mirë për kushtet normale dhe kapacitetet normale të akomodimit dhe shoqërimit, lëre më pastaj situatën e distancimit social për shkak të pandemisë dhe në rastin konkret ne kemi vënë re një mbipopullim, një numër shumë të madh personash të shoqëruar”, tha Ballanca. /tvklan.al