Projektligji i legalizimit të zonave informale ka nisur të debatohet pas komisionit të ekonomisë dhe të ligjeve edhe në shtëpitë e atyre që i ngritën ato në këto troje pas viteve ‘90. Banorët e Bathores ishin protagonistë dhe sollën argumentin e tyre në një lidhje direkte nga qendra e kësaj lagjeje realizuar nga emisioni i mëngjesit “Ora e Parë”. Komuniteti i ardhur nga zona verilindore e vendit kërkon të legalizohet edhe të paguajë, por jo aq sa parashikon qeveria.

“Po të kishin këta fshatarë 50 dollarë për m2, do të ishin në Amerikë dhe jo në Shqipëri. Ne na qujanë çeçenë, ne na quajnë të ardhur nga malësia. Fshatari mezi e ka bërë një copë kasolle aty, janë nëpër baraka, vuajnë për copën e bukës dhe të paguajnë 50 dollarë për m2, kjo është krejtësisht e papërballueshme.”

“Të njihet legalizimi në tërësi i ndërtimit të qytetarit, aq metra katrorë sa ka ndërtuar, duke u përjashtuar zënia e hapësirave publike, hapja dhe mosnjohja e rrugëve dhe e shesheve përpara shkollave dhe objekteve, pjesa tjetër të kthehet e ligjshme dhe të legalizohet për qytetarin. Qytetarëve t’u njihet e drejta e kredisë për aq mundësi që ata nuk kanë të paguajnë.”

Banorët shpresojnë se do të merret parasysh ndërhyrja e tyre nga hartuesit e ligjit, ndryshe rrugëzgjidhja shihet duke protestuar.

“Bathoren të mos ta vendosin në gisht, të mos ta vendosin në provë disa herë, se kanë filluar ethet, njerëzit po grumbullohen, po bisedojnë, edhe në orët e vona, edhe natën, edhe ditën, sepse këto nuk janë ethe pas buke, por këto janë ethe të përjetshme. Prandaj i bëjmë thirrje edhe një herë t’ia vendosin mirë gishtin kokës se ky popull nuk bën. Protesta do të jetë një nokdown d.m.th. nuk dimë gjë as për qeverinë, as se çfarë do të ndodhë.”

Vetëm në lagjen Bathore të Bashkisë së Kamzës jetojnë rreth 22 000 të ardhur ku përafërsisht janë ndërtuar 19 000 shtëpi. /tvklan.al