Basha takohet me Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar këtë të premte me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Kreu i opozitës shqiptare ka thënë gjatë një prononcimi për mediat se me Krasniqin ka folur për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“PD qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve dhe në veçanti ndamë pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm mes BE-së dhe SHBA-së është një parantezë, një shans i mirë për të shtyrë përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat e ku një barrë e madhe i përket BE-së dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Kosovës do të shmangë përfundimisht çdo skenar si ato që shohim që i aviten aktualisht në Bosnje dhe kërcënojnë jo vetëm arkitekturën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por edhe paqen dhe stabilitetin europian”, tha Basha.

Në këtë kuadër, Basha shtoi se Shqipëria ka një detyrë edhe më të rëndësishme duke qenë se është anëtare e përkohshme e KS që të shtyjë përpara çdo aspekt që ka të bëjë me Kosovën.

“Shqipëria ka një detyrë të përhershme, por në momentin aktual edhe më të rëndësishme si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të shtyjë me të gjitha forcat dhe mënyrat përpara çdo aspekt që ka të bëjë me Kosovën dhe qytetarët e Kosovës në veçanti me vazhdimin e njohjes ndërkombëtare, atë të angazhimit dhe të anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare. PD jo vetëm do të reshtë së shtyri, por nuk do të kursejë asgjë që Shqipëria të japë gjithçka që mundet në mënyrë që Kosova, forcat politike dhe qytetarët e Kosovës të kenë benefitet maksimale të një bashkëpunimi të vërtetë, të ngushtë  dhe produktiv mes Shqipërisë dhe Kosovës në rrafshin politik, padiskutim në rrafshin ekonomik dhe rrafshe të tjera”, tha Basha.

Ndërkohë kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë është i padiskutueshëm dhe prioritet i prioriteteve për qeveritë apo opozitat e dy vendeve.

“Disktuam në detaje me Bashën për temat e brengave të përbashkëta. Kosova dhe Shqipëria kanë shumë sfera të cilat kanë nevojë që të intensifikojnë bashkëpunimin, të rrisin koordinimin institucional. Është shembull i mirë që pavarësisht jemi në qeveri apo opozitë, bashkëpunimin mes dy vendeve e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve”, tha Krasniqi./tvklan.al