Mungesa e dakordësisë për një produkt të përbashkët të partive parlamentare për Kodin Zgjedhor, është komentuar dhe nga ambasadori i BE-së në Tirane. Silvio Gonzato iu kujton palëve se zgjedhjet e 2025 janë vendimtare për fazën ku ndodhen negociatat me BE-në ndaj rezultati i kësaj gare duhet të jetë i gjithëpranuar. Për këtë arsye kërkohet të nxitojnë për të adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në ligjin elektoral.

“Është e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE dhe të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kam shpresuar se kontaktet me partitë e ndryshme do jepnin rezultat. Gjithashtu, tani di se janë edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar, që është vendimi i Kushtetueses, i cili duhet parë sërish. Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Dhe të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme. Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitet që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së.  Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE shkojnë në një fazë të caktuar dhe ne na nevojitet kapacitet administrativ, dhe vendosmëri politike për integrimin europian”, tha ai.

Edhe pse standardi i zyrës së BE është: asnjë koment për çështjet që janë në hetim, Gonzato kërkon nga politika që të lejojë SPAK-un të bëjë punën e tij.

“Ne duhet të lejojmë SPAK të bëjë punën e vet, të krijojmë hapësirën që ta bëjnë këtë. Në të njëjtën kohë mund të them se ndoshta ajo reformë siguron se sistemi gjyqësor është i pavarur, i pavarur nga ndikimi politik. Dhe problemi që të gjithë e dimë që është pengesa kryesore, e Shqipërisë në rrugën drejt BE e ky është korrupsioni. Mendoj se është sinjal i mirë, unë besoj dhe shpresoj se SPAK do bëjë punën e tij”, tha Gonzato.

Gonzato iu përgjigj interesit të gazetarëve pas aktivitetit të zhvilluar në Shkodër për përmbylljen e programit 3-vjeçar që mbështeti me një grant për investime prej 1.7 milionë eurosh 19 bashki.

Tv Klan