Interpelanca me kryeministrin Rama e kërkuar nga Partia Demokratike për mbetjet toksike do të mbahet më 12 Shtator. Vendimi është marrë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar ditën e sotme.

Më herët, PD-ja ka paralajmëruar hetim parlamentar për të zbardhur çështjen e mbetjeve toksike për 2 anijet që dyshohet se transportuan një ngarkesë me materiale toksike nga Durrësi drejt Tajlandës.

Kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tha se afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen e autoriteteve shtetërore.

Sipas selisë blu edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore.

Ndërkohë, zv/kryeministrja Balluku deklaroi pak disa ditësh se Porti i Durrësit nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi për të kontrolluar nëse kompania që bënte transportin kishte gënjyer në vetëdeklarimin e përmbajtjes së mbetjeve që po eksportonte apo jo. Ky proces, ka thënë ajo, i takon një kompanie koncesionare private që operon në këtë port./tvklan.al