Ngrohja globale ka dhënë efektet e saj edhe në Shqipëri. Ngritja e nivelit të ujrave të Detit Adriatik ka sjellë përmbytjen e disa zonave nën qarkun e Lezhës.

Vetë Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministrat Basha e Ruli ka inspektuar fshatrat që ndodhen nën ujë. I ndalur fillimisht në fshatin Tale të Lezhës, Berisha ka deklaruar se situata, pavarësisht vështirësive, paraqitet nën kontroll. Ndërsa shtoi se në këto kushte nevojitet një strategji kombëtare për t’i bërë ballë forcës së detit.

Pas inspektimit të zonave të prekura nga përmbytjet, Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me shtabin e emergjencave civile në prefekturën e Lezhës, ku ka deklaruar se qeveria do të investojë me projekte madhore për t’i bërë ballë fenomenit të ngrohjes globale.

Berisha ka kërkuar një perqëndrim të madh në Fushë Kuqe për ta mbrojtur atë nga lartësimi dhe vërshimi i Matit,pasi moti nuk duket aspak premtues.

Për Kryeministrin Berisha këto situata kërkojnë ndërhyrje të mëdha, të cilat do të kryhen nga qeveria, por aktualisht ajo që është më e nevojshme është ndërhyrja emergjente, për të cilën të gjitha institucionet e shtetit do të jenë në dispozicion.

Sipas Berishës, situata aktuale nuk përbën asnjë problem, por gatishmëria duhet të jetë maksimale, me qëllim shmangien e katastrofave dhe dëmeve në zonat e banuara.

Tv Klan