Qeveria mbyll 2 investime të tjera për fushën e arsimit, në Spitall të Durrësit shkolla 9-vjeçare “Neim Babameto” është investimi më i ri për 1300 nxënësit e saj që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 1.1 milion dollarë.

Kryeministri Sali Berisha i pranishëm ën ceremoninë e inaugurimit e ritheksoi këtë si prioritet i qeverisë së bashku me zotimin e rishprehur për shkolla të reja apo të rindërtuara në të gjitëh vendin brenda mandatit të dytë.

Sali Berisha: “Në fund të mandatit të dytë çdo fëmijë shqiptarë do të hyjë në një shkollë të re ose të rindërtuar.”

Me të njëjtën rëndësi kryetari i qeverisë vlerësoi rindërtimin e infrastrukturës për këtë zonë.

Sali Berisha: “Unë e di që rruga ju mundin, po jam këtu për t’ju garantuar ju se brenda shuam pak javësh, rruga është tenderuar, është shpallur fituesi dhe bashkë do të inaugurojmë punimet nga Durrësi në Porto Romano.”

Por në fjalimin e tij kryeministri Sali Berisha i mëshoi faktit të ndërtimit të zonës më të madhe industriale në Ballkan, një investim që do të ruajë parametrat më të mirë të mbrojtjes së ambientit nga ndotja.

Sali Berisha: “… i qytetarëve të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, por dhe mbrojtja e mjedisit janë përparësi madhore ndaj dhe duke krijuar këtu parkun industrial më të madh të Ballkanit, ju siguroj se do respektojmë dhe mbajmë standardet më të larta të pastërtisë së ajrit, ujërave.”

Kryeministri Sali Berisha ishte dhe në Shkozet për të inauguruar rikonstruksionin e plotë të shkollës së mesme profesionale “ Beqir Çela” një shkollë që ruan traditën më të vjetër bë vend për formimin profesional të studentëve, njëkohësisht shërben si qendër e formimit profesional. Nga buxheti i shtetit janë shpenzuar plot 14 milionë lekë të reja duke e shndërruar atë në nëj nga shkollat më moderne në vend. Këtu prej 10 vitesh 1997-2007 është zbatuar një projekt i qeverisë zvicerane prej 3 milion dollarësh falë së cilit shkolla është pajisur me laboratorë të rinj.

Prej 2008 një projekt i Bashkimit Evropian prej 50 mijë eurosh ka mundësuar instalimin e sistemit të menaxhimit të informatizuar të shkollës. Ajo ka 500 nxënës nga i gjithë vendi, por edhe shumë të rritur që trajnohen profesionalisht. Jo më kot kryeministri Sali Berisha i kushtoi vëmendje dhe ndërtimit të konvikteve të reja, të cilat bëjnë të mundur arsimimin profesional të të rinjve.

Sali Berisha: “Më 28 qershor së pari njëherë këta të gjithë, ata që kanë mbushur moshën me letërnjoftime, natyrisht pastaj këta e dinë që vota majtas është votë mbrapa.”

 Edhe në Shkozet kryeministri ritheksoi se arsimi profesional do të jetë prioritet i qeverisë që drejton.

Sali Berisha: “Ju siguroj, se qeveria do të mbështesë fuqishëm shkollën tuaj, në mënyrë që në këtë shkollë të rritet numri i nxënësve që shkollohen, të cilët marrin dije për profesionet më të kërkuara në vend, sikundër do bëjmë çdo përpjekjeje që arsimi profesional t’i ketë tërësisht dyert e hapura.”

Vetëm gjatë viteve 2007-2008 në Durrës janë ndërtuar të reja apo rikonstruktuar 14 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare. Këto investime kanë rritur ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare një prej problematikave kryesore të sistemit arsimor në vend, mbipopullimit të klasave./tvklan.al