Lideri i opozitës Sali Berisha u përgjigj me anë të videoje të regjistruar paraprakisht pyetjeve të gazetarit Blendi Fezviu për emisionin Opinion mbi zhvillimet e fundit politike, si dhe për mënyrën se si do të dalë opozita në zgjedhje.

Berisha e ka cilësuar si primare që në zgjedhje të shkohet me një qeveri teknike, pa Edi Ramën kryeministër.

“Po bëhen të gjitha përgatitjet për një betejë pa kthim drejt qeverisë teknike. I garantoj shqiptarët se me Edi Ramën, kurrë zgjedhje të lira nuk mund të ketë! Dhe ndaj ne po përgatitemi për të nisur një betejë të pandalshme gjer në krijimin e qeverisë teknike. Qeveria teknike është kusht për një lloj barazie më të madhe në fushatën elektorale dhe në zgjedhje. Përndryshe zgjedhjet janë të ekzekutuara, të përfunduara pa u zhvilluar”, tha Berisha.

Kryedemokrati sqaroi edhe arsyet se pse krerët politike të opozitës 12 qarqe mungojnë gratë.

“Për fat të keq nga një realitet… Ndoshta llogaritë nuk janë mirë, por është gjykuar të jenë burra të cilët të përballen me realitetin”, tha Berisha. 

Ndërsa në zgjedhje garanton se do të dalë me aleatin e tij Ilir Meta.

“Me zotin Meta unë kam raporte shumë të mira. Bashkëpunimi në zgjedhje do jetë i ngushtë”, tha Berisha.

Teksa shprehet se në listën e deputetëve të opozitës do të ketë emra të rinj, duke i zgjatur dorën edhe demokratëve të tjerë që t’i bashkohet kundër Ramës, jep këtë përgjigje nëse e bija e tij, Argita do të përfshihet në PD.

“Kjo është çështje krejtësisht personale e Argita Berishës, jo Sali Berishës”, tha ai.

Fushata elektorale sipas tij do të organizohet veç drejtuesve politik të qarqeve dhe nga një shtab qendror, që do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Berishën. Për herë të parë kryedemokrati tha se me fitoren e zgjedhjeve nga ana e PD-së fton cilido ta sfidojë për postin e kryeministrit të ri të vendit me anë të një referendumi.

“Do ta ftoj cilindo që dëshiron ta sfidojë Sali Berishën me votën e qytetarëve për kryeministër. Një risi moderne, modernissima. Kjo në funksionimin e një opozite”, tha Berisha.

Sa i përket akuzave të ngritura ndaj për çështjen e privatizimit të kompleksit Partizani për të cilën akuzohet për korrupsion pasiv, Berisha i cilësoi si një piramidë mashtrimi dhe shpifje.

Tv Klan