Në Itali, e djathta nacionaliste e Giorgia Melonit gati ka 5-fishuar numrin e eurodeputetëve, dhe me zgjedhjet e fundit, do të ketë 24 të tillë në Parlamentin Europian.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetarja Alba Kepi ka treguar më shumë detaje rreth këtyre zgjedhjeve, ku ka thënë se kryeministrja italiane Giorgia Meloni është europarlamentarja italiane më e votuar me 2 milionë vota.

Më tej, Kepi vuri theksin dhe tek një element sa i çuditshëm, aq edhe strategjik për votimet në Parlamentin Europian: Një mënyrë thirrje për të votuar kandidatët e “Forca Italia” me figurën e të ndjerit, Silvio Berluskoni.

Alba Kepi: Giorgia Meloni sot është europarlamentarja italiane më e votuar, ka marrë mbi 2 milionë vota. Meloni konfirmoi dhe një fakt tjetër të rëndësishëm. Kujtojmë se në 2022-shin kur mori qeverisjen, ishte Berluskoni ende gjallë, ishte Salvini dhe kujtojmë atë konferencë shtypi kur Berluskoni e qaste Melonin si një person që ai po e ndihmonte të bëhej kryeministre.

Blendi Fevziu: Ndërkohë, Meloni e ka rikonfirmuar veten krejtësisht tashmë?

Alba Kepi: Padyshim. Ajo jo vetëm konfirmon, por edhe rivlerëson veten. Kjo fushatë elektorale në Itali ishte më shumë një fushatë lidershipi sepse kryeministrja Meloni zgjodhi të ishte në krye të listës së kandidatëve europarlamentarë. Edhe në sloganin, ajo vuri emrin e saj “Voto Giorgian”. Të njëtën gjë bëri Antonio Tajani me partinë e tij “Forca Italia”, madje bëri një zgjedhje strategjike duke vënë emrin e Berluskonit, pra duke bërë një thirrje të fanatikëve të “Forca Italia” për të votuar.

Blendi Fevziu: Domethënë, Berluskoni dhe nga bota tjetër mori prapë vota?

Alba Kepi: Dukej e çuditshme. Ai e komentoi se ishte për t’i bërë nderim figurës së Berluskonit, por të gjithë e komentuan si një gjetje strategjike për të gjithë ata që janë nostalgjikët e Berluskonit. Pra, ishte një garë lidershipi.


/tvklan.al