Mungesa e reshjeve dhe prodhimi konstant i energjisë elektrike po pakëson ndjeshëm nivelin e ujit në kaskadën më të madhe në vend, në atë të hidrocentralit të Fierzës.

Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare çdo ditë niveli i ujit në këtë kaskadë bie me 21 centimetra teksa aktualisht ka regjistruar nivelin e 283 metrave, kuotë kjo e njëjtë me atë të Janarit të këtij viti.

Nëse ecet me këto ritme në fund të muajit Gusht Fierza do të gjendet nën nivelin e 280 metrave, por për KESH-in kjo situatë nuk është shqetësuese.

Në Shtator pritet që të rimerret sasia e energjisë e depozituar gjatë verës në Kosovë, pohojnë burime nga Korporata, kështu që prodhimi i energjisë në vend pritet të ulet duke kursyer sasinë e ujit në kaskadën e Fierzës.

Në Koman niveli i ujit ka zbritur në 173 metra, ndërsa në Vaun e Dejës në 74 metra. Konsumi ditor i energjisë në vend të arrijë në 16.7 milion kilovat/orë.

Dy të tretat e kësaj sasie mbulohen nga prodhimi vendas, ndërsa pjesa tjetër importohet./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro