Identifikimi dhe regjistrimi i qytetarëve tani do të bëhet duke trokitur derë më derë. Në bazë të ligjit të miratuar pak kohë më parë nga parlamenti për verifikimin, identifikimin dhe regjistrimin e shtetasve, Ministria e Pushtetit Vendor ka ngarkuar të gjitha njësitë qeverisëse vendore për mbarëvajtjen e këtij procesi. Sipas ministrit Blushi, ky proces do të shërbejë më së miri për hartimin e listave të sakta zgjedhore të cilat do të hartohen mbi bazën e këtij identifikimi.

Ben Blushi: “Besoj që ky është projekti më serioz deri më sot në shkallë kombëtare për të bërë një pastrim eventual të regjistrave të Gjendjes Civile. Është një projekt i cili parashikon që të mos i ikë askujt e drejta e votimit, pavarësisht nëse ai e ka Gjendjen Civile në fshatin apo qytetin e tij të origjinës.”

Ministri Blushi ka kërkuar një bashkëpunim të partive politike në këtë proces, që listat zgjedhore të mos jenë më një arsye për kontestimin e zgjedhjeve.

Ben Blushi: “Ky është një detyrim, besoj i të gjitha forcave politike, të motivojnë strukturën e tyre të qeverisjes vendore apo të tjera në mënyrë që ato t’i bëjnë apel zgjedhësve që të shkojnë dhe të bëjnë regjistrimin, në rast se, sigurisht ato kanë anomali të caktuara në raport me territorin ku ato kanë vendosur të jetojnë.”

Qëllimi kryesor i këtij ligji është identifikimi i shtetasve që kanë ndryshuar vendbanim pa ndryshuar regjistrimin në zyrat e Gjendjes Civile. Regjistrimi që do të bëhet në të gjitha familjet shqiptare duhet të përfundojë brenda datës 28 shkurt. /tvklan.al